Tregim i radhës për lexuesit e prozës sime. Vlerësimi dhe kërkesa e tyre për të botuar sa më shpesh nga krijimtaria ime, më nxitë dhe motivon për të shkruar akoma tregime, e pse jo edhe për të botuar libra të radhës. Zaten, në raftet e mia po presin për të parë dritën e botimit dy dorëshkrime, një përmbledhje tregimesh dhe një roman dashurie. Kësaj here, për ju lexues, një tregim për të nderuar vlerat e luftës dhe sakrificën e çlirimtarit, deri në rënie, për t’u shndërrua në dëshmor dhe mbetur i pavdekshëm në kujtesën e popullit dhe në historinë tonë.
Muhamet HALILI
BUZËQESHJE NË SHI
Sado lisa të mëdhenj, era i lëkundte. Së paku majat e tyre endeshin sa në njërën, e sa në tjetrën anë. Por, loja që luhej mes erës e lisit, nën tingujt e melodisë që prodhonte shiu, të bënte ta kuptosh se nuk ishte kjo një matje forcash mes tyre, por vallëzim pasioni që luhej në këto male të dendura, që sikur asnjëherë më parë, mbanin përbrenda frymë.
Sa herë vije erë baruti, malet mbusheshin jetë. Jetë, që prodhonin pastaj histori…!
Secili lis, degë a gjethe, çdo fërfëllimë, shushurimë a zë gjallese…, që kapnin receptorët e dëgjimit, bartnin në vete rrëfime unike, por si në çdo epokë, ndonjëra dallonte për madhështinë shpirtërore, andaj ishte e destinuar të jetonte në çdo periudhë kohore.
Trungut të një lisi shumëvjeçar ia kishte dhënë shpinën një çlirimtar, kësaj here i thelluar në ndonjë realitet perfeksioni që mund të pikturohej vetëm nëpër ëndrra. Nuk i pushonte vetëm trupi, por i flinte edhe shpirti, derisa sa, shiu nisi rrëfimin e tij…!
***
– Mos , bre, – reagojë me zërin e tij të përgjumshëm ndaj të spërkaturave që e ndjeu në fytyrën e tij të njomë, të parruar deri në ato momente.
Nuk i duronte dot disa nga shakatë e shokëve, e veçmas kur dikush e zgjonte nga gjumi duke i hedhur pika uji të ftohtë fytyrës, apo edhe ndonjë rreng tjetër, krejt kjo për pak humor, për ta thyer të ftohtin, por edhe zymtinë që sillte momenti. Përnjëherë, i zgurdulloi sytë, kur të përgjumur panë zbrazëtirë në vend të ndonjë fytyre shoku, duke qeshur nga një gëzim i pakuptueshëm për të, që vinte si rrjedhojë e rrengut të bërë dhe reagimit komik të “viktimës”.
Ishin pika të imta shiu, që binin mu kur agu përpiqej të zotëronte qiellin e murrmë deri në ato çaste, dhe ca prej tyre përvidheshin gjetheve për të pikuar në fytyrën e tij të çelur. Ashtu i rrinte edhe kur ishte i freskët edhe kur ishte i lodhur, falë gjakut që i vlonte damarëve.
Shikoi orën dhe i ra ballit, duke nxjerrë një fishkëllim të pa zë, nga goja. Ishte zgjuar një orë më vonë seç kishte planifikuar zgjimin dhe nisjen e rrugëtimit tutje. Lodhja e kishte bërë të vetën pasi ishte hera e parë që dështonte në zgjimin e planifikuar. Sigurisht që edhe shokët, duke e njohur se sa ishte i përpiktë, nuk i kishin rënë pas, se a është zgjuar apo jo, dhe ishin nisur, duke menduar se edhe ai ishte në atë mes çlirimtarësh që po marshonin drejtë pikës tjetër.
– Më harruan! – i kumboi zëri nga fundi i barkut, por që në ajër doli pëshpërimë, sikur akoma ruhej të mos e dëgjonte ndonjëri që nuk duhej edhe pse, e ndjeu veten sikur të ishte në mes të një hiçi, pa praninë e askujt.
Shikoi edhe njëherë orën dhe megjithatë e kuptoi se fajtor ishte vetja e tij. Shokët do ta vërenin me vonesë mungesën e tij. Qëndrimi po në këtë vend, për t’i pritur ata të ktheheshin për të, përbënte rrezik për të gjithë, andaj i duhej të lëvizte sa më parë, me shpresën se do të takohej rrugës me ta. Shqetësim për të ishte fakti që ai ishte një djalë urban, që lufta e kishte nxjerrë përherë të parë maleve të kësaj ane dhe orientimin e kishte më të vështirë për shkak të mosnjohjes së terrenit, prandaj edhe ishte çorientuar. Shikimi i tij bredhës në çdo pikë, edhe atë në fare pak sekonda dëshmonte se sa ishte hutuar, por edhe ca i frikësuar. Jo i frikësuar për jetën e tij, sepse atë e kishte ofruar vullnetshëm për ta kthyer te Ai, por për formën e flijimit që e dëshironte si në legjendë!
Mbushi thellësisht mushkëritë ajër të ftohtë mëngjes-mali, dhe vazhdoi me shikimin e tij të ç’ekuilibruar. Për një çast, iu duk se në asnjërën anë nuk ka rrugëdalje, ishte bllokuar aty, në atë vend që mund të ishte fundi për të. Por, sakaq i vlonte gjaku nga brenda dhe sikur të kishte busull të brendshme, kah do që e kthente kokën, pas atij vlimi, shihte përplot shtigje për lëvizje. Por, edhe kjo e hutonte tepër. Vallë, cili ishte shtegu i duhur?! Shumë prej tyre mund ta qonin drejt vdekjes. Drejtë një vdekje që e kishte menduar ndryshe, pasi donte të jetonte edhe pasi të binte fli!
Për t’u përqendruar, drejtoi shikimin nga qielli, për t’u përballë drejtpërdrejtë me pikat e shiut që ishin ndërmjet fytyrës së tij dhe qiftit që vallëzonte, në atë podium qiellor, nën ritmin që e prodhonin ato kristale të vogla uji, që zgjateshin si gishtërinj të talentuara për të prekur tokën mu sikur preken tastet delikate të një pianoje ku janë luajtur veprat e kompozitorëve më me nam. Ishte pikërisht shiu që e qetësonte dhe i jepte zemër. Kishte kujtime të mira për ato pika që binin lirshëm nga qielli dhe i ktheheshin burimit, andaj edhe ishte i lumtur që po rigonte. Shi kishte rënë, thonë, edhe kur kishte lindur. Shi kishte rënë edhe kur kishte puthur për herë të parë Teutën, frymën e tij. Shi, madje kishte rënë edhe në ditën kur kishte marrë udhë për t’u bashkuar me, “dasmorët”, siç i quante në fillim, ata me të cilët u bashkua. Shi po binte edhe tani. Imët por nuk ndalej, e kjo i jepte shpresë se fundi do të ishte i mirë!
Ndihmuar nga shiu, fshiu gjurmët në vendin ku kishte pushuar, puthi emblemën që kishte në kapelë dhe para se ta rregullonte mirë në kokë, shikoi secilën prej tri shkronjave qëndisur në të, mu sikur shikohet dikush me të cilin përshëndetesh asisoj sikur shpalos hapur mallin e madh që ke për të, sepse mund të mos e shohësh më, ndonëse do të jetë e vulosur përgjithmonë në ty!
Ngjeshi armët në brez, përveç automatikut që mbante në dorë, në gjendje gatishmërie për të shkrepur, dhe me një buzëqeshje që vetvetiu iu vesh fytyrës, lëvizi këmbët ngadalë po sigurt drejt një shtegu të përdredhur, që lahej mirë nga rigat e shiut, të cilat ia jepnin një shkëlqim mesit rrugës. Sytë e çlirimtarit e lexonin, atë dritë, si udhërrëfyes me të cilën po e ndihmonte qielli, andaj edhe ishte përcaktuar për atë drejtim që ndiqte ndriçimi. Lëvizja e tij e kujdesshme përcillte vijën ndriçuese që shpërfaqej mesit rrugës e që lëvizte gjithmonë para, po me të njëjtin ritëm si të hapave të tij.
Ecte udhërrëfyesi, ecte çlirimtari. Pushtonte malin para, duke lënë male pas, e nga lartë ndiqej nga qifti që vallëzonte pandërprerë. Herë pas here ndalej, merrte pozitë luftimi dhe pothuajse krejt përqendrimin e orientonte në shqisën e dëgjimit. Këngën e shiut si tërësi, në të cilën ishte i përfshirë deri në ato momente, e ndante në tinguj të veçantë. E jashtëzakonshme se si me një përqendrim të tillë mund të dëgjosh sa shumë zëra, e sa shumë kthjelltë. Madje, i dëgjonte edhe lëvizjet e insekteve mbi gjethe, fshsh, fshsh, fshsh…!
Ecte sërish udhërrëfyesi para. Ndiqej nga hapat e çlirimtarit. Pushtohej mali, lihej mal mbrapa, vallëzonte era e lisi! Sërish ndalesë e currim veshësh!
Fatkeqësisht nuk dëgjohej ndonjë e shtënë sporadike, sikur ditëve tjera, sepse çlirimtarit kjo do t’i ndihmonte shumë për t’u orientuar.
Vazhdonte ecja e kujdesshme…vazhdonte edhe vallëzimi… dëgjohej fërfëllimë, cicërimë, fishkëllimë. shushurimë…fshsh, fshsh, fshsh…
Sërish ndalje, sërish ecje, ndalje, ecje…!
Erdhi një moment kur ndalesa e radhës ishte më ndryshe, pasi çlirimtari, si të përdorte pajisje të sofistikuara, kapi një zë! Një zë, që e mërziti se nuk i pëlqeu. Ndoshta edhe për shkak të vrazhdësisë që i erdhi keqas në timpanet e veshëve, për t’ia prishur n’çast, harmoninë e zërave të natyrës, që e shoqëruan deri aty. I kumbonte si një zë që do të ndillte pastaj një të keqe!
Biseda me tone të ulëta, fare pëshpëritëse, bëhej në një gjuhë të huaj. Lëvizjet e tij tani ishin aq të kujdesshme e të sigurta sikur të zvarritjes në një fushë të minuar. Dikur, arriti në një pozicion ku përveç shqisës së dëgjimit, i hynte në punë edhe ajo e të pamurit, që ia qartësoi situatën në të cilën ndodhej. Diku dhjetë metra para tij, sytë e çlirimtarit panë një trup të uniformuar, i shtrirë me mitralozin e tij gati për shkrepje. Në krahun e atij ushtari, sytë ia fokusuan emblemën e armikut. Dikur, në të majtë pa edhe një trup tjetër, po ashtu në pozitë gatishmërie për betejë. E, dy metra më tutje edhe të një tjetri, pastaj krah tij edhe një tjetër, edhe një tjetër… ishin shumë! Pamje e njëjtë ishte edhe nga krahu i djathtë. Pa i vërejtur dhe pa u vërejtur, çlirimtari kishte hyrë pothuajse mu në mes ushtarëve, të cilët, në fakt ai kishte dalë t’i luftonte.
Ata kishin zënë pusi, mu siç zënë hienat. Nga poshtë po u vinte lirshëm pafajësia, çiltërsia… po u vinin dasmorët e lirisë, që pavetëdijshëm po ecnin drejt një kurthi fatal për ta.
Por, si të paralajmëroheshin bashkëluftëtarët?! Pozita e tij e momentit ishte si e një qengji të porsalindur, i ndodhur brenda një tufe ujqërish të uritur. Nga aty, mund t’i bënte pak ose fare dëm armikut, pasi vet ishte pre e lehtë. Por, tani kjo nuk ishte e rëndësishme, sa ishte e nevojshme të dëgjohej zhurma e rafalëve të automatikut të tij, që do të alarmonte. Për nga natyra ishte i qetë, nuk e donte zhurmën, por tani një zhurmë do të thoshte jetë për bashkëluftëtarët!
U shtri në një pozitë luftimi me automatikun gati për “zjarr”. Si në një “xhirim të ngadalësuar”, po i vinte një pikë shiu që i buzëqeshi këndshëm teksa i ra mu në maje të tytës, e gatshme për të nxjerrë flakë. Ashtu i erdhi dhe një tjetër pikë, po me të njëjtën buzëqeshje, pastaj edhe një pikë tjetër sikur bëri piruetin para se të shkrihej në tytë. Binin pikat njëra pas tjetrës, edhe një, edhe një….secila nga to, në njërën nga format e “shenjës emotive” ia rrihnin tytën që do të shkrepte, pas pak, jetë për dikë! Tani mal ishte bërë edhe zemra e tij. E futi në thumb vendqëndrimin ku ishin ushtarët me armatimin më të rëndë, dhe…!
Qielli u terrua nga fluturim i zogjve të trembur. Armiku, që donte të bënte befasinë më të madhe, u befasua vet si kurrë më parë. Tani melodinë e këngës së shiut e vrau ai tingull i vrazhdë i armëve që u derdhë rrufe në drejtim të vendndodhjes së çlirimtarit…
Lartë vazhdonte të vallëzonte era e lisi, derisa pikat e shiut ishin ato që po binin tani nxitueshëm, por pingul edhe mbi një palë sy që qëndronin të hapur drejt qiellit dhe mbi një buzëqeshje dëlirësie që shtirë të përshkruhet sa e bukur ishte. “Buzëqeshje në shi!” do të mund të quhej nëse do të shndërrohej ajo pamje në një vepër arti.
Ishte një rënie si në legjendë!
Çlirimtarët vazhduan drejtë një pike tjetër…!