Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mbajtur konferencë për media pas takimit me liderët e rajonit në përgatitje për samitin e Procesit të Berlinit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Kreu i qeverisë shqiptare tha para gazetarëve se nuk sheh ndonjë interes për këtë, derisa theksoi se të gjithë ishin të ftuar, dhe ata që deshën erdhën.
“Nuk shof asnjë interes sepse ishin të gjithë të ftuar edhe kush deshi erdhi, kush s’mundi s’erdhi”, tha Kryeministri Rama.
Në këtë takim informal ku mungoi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u diskutua për të gjitha projektet që do të financohen në kuadër të Procesit të Berlinit, samit ky që do të mbahet në Tiranë në muajin tetor.
Mungesa e Kryeministrit Kurti u kritikua nga deputetët e opozitës, ndërsa mëngjesin e së hënës Qeveria konfirmoi se ai nuk do jetë pjesë e këtij takimi në Tiranë, pasi do të shkojë në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë.
Mirëpo zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu ka njoftuar se Kryeministri i Kosovës, do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, me datën 16 tetor 2023./Reporteri.net/