Në mungesë të të akuzuarit Valton Isufi, të mërkurën është shtyrë gjykimi në rastin ku ai së bashku me shtatë të tjerë po akuzohen për krim të organizuar dhe vepra tjera penale.
Aktakuza në këtë rast ishte ngritur ndaj Driton Konushevci, Valton Isufi, Shkumbin Kadriu, Valdrin Gërbeshi, Burim Murati, Edmond Gashi, Artan Prebeza, Sadullah Behluli, Mimoza Beqiri dhe Klodiana Rokës, e në bashkëkryerje edhe me dy të akuzuar në arrati Qëndrim Dobruna e Edon Bajrami, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës, qëllimi i këtij grupi kriminal ishte sigurimi i pin-kodeve të xhirollogarive bankare të qytetarëve nga shtetet e ndryshme duke arritur të hakonin këto pin-kode dhe duke përfituar dobi pasurore jashtëligjshëm deri në vlerën prej 198 mijë e 454 euro.
Lidhur me mungesën e të akuzuarit Isufi, mbrojtësi i tij avokati Shemsedin Piraj tha deri sa ishte duke ardhur në gjykatë, nga i mbrojturi i tij ka pranuar një sms në telefon se për arsye shëndetësore nuk mund të marrë pjesë në gjykim.
Andaj, në mungesë të kushteve ligjore, seanca e sotme u shty, ndërsa gjykata e njoftoi avokatin Piraj se nga i akuzuari Isufi duhet të sjelljen edhe provat mjekësore.
Në këtë rast për krim të organizuar lidhur me vepra të tjera penale akuzohet edhe Edmond Gashi dhe Artan Perbeza mirëpo gjykata ka veçuar procedurën penale ndaj tyre, konkretisht ndaj Gashi për shkak të gjendjes shëndetësore, kurse për Perbezën pasi që gjendet në paraburgim në Shqipëri.
Po ashtu ndaj për Koushevcin është arritur parashkrimi absolut për veprën penale të posedimit të narkotikëve dhe për armëmbajtje po ashtu është arritur parashkrimi absolut për Isufin dhe Prebezën.
Të akuzuarit ngarkohen për “Krim i organizuar”, “Hyrja në sistemet kompjuterike”, “Lëshimi i ceceve pa mbulesë ose të rreme dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo kredit” , “Pastrimi i parave”, “Ndihma”, ndaj Konushevci edhe vepra penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe e substancave psikotropike”, dhe po ashtu Isufi dhe Perbeza edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll, në posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve” nga neni 328, par 2 të KPPK-së. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.