Njëri prej trajnerëve më karizmatik në futbollin kosovar, Ismet Munishi, me 12 mars të këtij viti mori drejtimin e skuadrës së Gjilanit.
Pavarësisht se Gjilani nuk kalonte formë të mirë edicionin e kaluar, Munishi më ta marrë timonin e gjilanasve premtoi se objektivi i tij kryesor për këtë sezon është titullin kampion.
Pas 14-të xhirove të zhvilluara skuadra e Gjilanit tashmë ka arritur të vjelë frytet e para të punës së teknikut prishtinas.
Kjo pasi ‘Kuqebardhët’ kryesojnë Superligën e Kosovës me 25 pikë të arkëtuara, aq sa ka edhe Drita që renditet e dyta.
Lidhur me ecurinë e deritanishme të kampionatit, Gazeta inFokus, ka realizuar një intervistë me trajnerin e Gjilanit, Ismet Munishin, i cili si asnjëherë me parë ka folur hapur për të gjitha.
Tekniku prishtinas e ka vlerësuar shumë zhvillimin e deritanishëm të kampionatit, duke u ndarë i kënaqur me ecurinë e ekipit të tij.
‘Zhvillimin e kampionatit deri me tani e vlerësoj shumë, sepse është kampionat shumë i fortë. Jam i kënaqur me ecurinë tonë, pasi kemi bërë punë të mirë’, tha fillimisht Munishi.
Ai tregoi se si arriti ti këndellet lojtarët e Gjilanit, për të cilët theksoi se janë çuna kampion.
‘Kemi punuar shumë, fizikisht jemi skuadra me e përgatitur në Superligë, tregon fakti sepse 70% të golave i kemi realizuar nga minuta 70 e lartë. Kam lojtarë fantastik aty dhe kemi respekt të ndërsjellë. Janë çuna kampion dhe kjo kimi ka funksionuar shumë mirë’, u shpreh i ashtuquajtur ‘Baba’.
Me pas 47-vjeçari tregoi se si i motivon futbollistët e tij, duke shtuar se në kohën e sotit lojtarët janë më të mençur se trajnerët.
‘Ekipin e motivoj me tregime interesante me muzikë dhe fjalor origjinal , e njoh mentalitetin e te gjithëve sepse kam luajtur në Shqipëri, kam shok kroat, brazilian dhe argjentinas, i njoh mirë të gjitha mentalitetet dhe flas shumë gjuhë. Flas gjithmonë atë që mendoj se në kohën e sotit lojtarët janë më të mençur se ne trajnerët, te kuptojnë dhe lexojnë mirë. Unë edhe si tip jam tepër i hapur’, deklaroi Ismet Munishi për Gazetën inFokus.
Trajneri i Gjilanit për herë të parë zbuloi emrat e disa prej këngëve më të cilat u jep zemër futbollistët e tij para çdo ndeshje.
‘Këngët më të cilat i motivoj lojtarët e mi janë ‘Semafori’ kënduar nga MC Kresha, ‘Flas gjuhën e kampionit’ kënduar nga Noyzi, ‘Hajde te baba’ kënduar nga Geti, ‘SRMN’ kënduar nga Ledri, etj’, potencoi tekniku prishtinas.
Sipas Munishit, ekipi i Llapit është kandidati me serioz për titull kampion.
‘Kandidatin me serioz për titull kampion e shoh ekipin e Llapit, sepse janë skuadra në formë fantastike, ku në 7 ndeshjet e fundit, ka arritur 6 fitore. Ecuri me të mirë nuk ka pasur asnjë skuadër’, tha 47-vjeçari.
Ai foli edhe për derbin me Dritën, ku deklaroi se do të vdesin për ta fituar edhe ndeshjen e dytë ndaj rivalit të përbetuar.
‘Derbi është derbi, ishim të nënçmuar nga të gjithë në derbin e parë, bënin hajgare me neve dhe ne u kundërpërgjigjem në mënyrë fantastike. Ndërsa tash të gjithë janë paluar nuk po bëjnë zë, po na e kanë friken, as kjo nuk është mirë. Ta shohim ne do të vdesim për ta fituar të dytin’, u shpreh trajneri i Gjilanit.
Për fund Munishi tha se do të luftojnë fuqqishëm dhe do të vdesin për ta fituar titullin kampion.
‘Ne luftojmë për titullin kampion fuqishëm, do të vdesim për ta fituar titullin. InshAllah Zoti na ndihmon dhe nuk na dëmtojnë, sepse jemi skuadra që jemi dëmtuar shumë edhe me VAR edhe pa VAR. Çdo javë ka ndonjë rast diskutabil që për kuriozitet gjithmonë janë kundër interesit tonë. Kurrë nuk përjetova që dikush të gaboj në favor të Gjilanit. Do të vdesim për ta fituar derbin.’, përfundoi Ismet Munishi.
Ndeshjen e radhës Gjilani e luan të mërkurën ndaj Dritës, takim ky që fillon nga ora 13:00 dhe zhvillohet në stadiumin e qytetit në Gjilan.