Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka akuzuar opozitën për bllokimin e votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat nevojiten 80 vota të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
Murati, ka thënë se njëri nga projektet që po pret dritën e gjelbër të Kuvendit është ai për Ngrohjen Qendrore Solare.
“Ky projekt mundësohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për ndërmarrjen publike Termokos, dhe ka për synim shtimin e kapaciteteve gjeneruese, por edhe kyçjen e lagjeve tjera të Prishtinës në rrjet të ngrohjes”, ka shkruar ministri në Facebook.
Sipas tij, projekti shihet të jetë mbi 80 milionë euro.
“Konkretisht, projekti parasheh shtimin e kapacitetit gjenerues të Termokosit për edhe 30 MW gjenerim shtesë, si dhe zgjerim të rrjetit të ngrohjes edhe për lagjet Arbëri, Tophane, Mat, e Qendër. Në total projekti parashihet të jetë mbi 80 milionë euro, dhe shumicën e financimit si Qeveri e kemi siguruar të jetë grant nga BE dhe nga Qeveria Gjermane”, thuhet në postimin e ministrit.
Ai ka thënë se kundërshtimi i projektit nga opozita, është përtej çdo logjike.
“Ka edhe marrëveshje tjera të ngjashme siç është ajo për nënstacionet e KOSTT në vlerë prej 25.5 milionë euro (plus 9 milione euro tjera grant ne pritje), apo marrëveshja me OFID në vlerë 40 milionë USD, që poashtu presin për dritën e gjelbër të Kuvendit. Pra janë mbi 150 milionë euro në pritje për të marrë dritën e gjelbër nga Kuvendi”.
Sipas Muratit, ka shumë mënyra për të bërë opozitë, mirëpo tha që bllokimi i marrëveshjeve që janë në të mirë të qytetarëve nuk do të duhet të ishte njëra nga to.
“Lus deputetët e opozitës që të heqin dorë nga inatet politike dhe të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat hapin rrugë për realizimin e projekteve të rëndësishme”, shtoi ai