Ministri në detyrë, Hekuran Murati ka ftuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që të votojnë buxhetin e vitit 2025 për komunën e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut, sepse, sipas tij, do të mund të krijohej mundësia që komunat të paguajnë faturat e grumbulluara si pasojë e mungesës së buxhetit.
Ai përmes një postimi në Facebook sqaroi se përmes procedurës së përshpejtuar prej 72 orësh, Kuvendi i Kosovës mund t’i miratojë buxhetet e këtyre komunave për vitin 2025 dhe të hapet rruga për pagesën e faturave që janë grumbulluar qysh javën që vjen.
Postimi i tij:
Thirrje deputetëve që ta votojnë buxhetin e vitit 2025 për Komunat e Prishtinës, Gjilanit, dhe Zubin Potokut
Tash që Kuvendi i Kosovës është i konstituuar, deputetët mund ta miratojnë edhe buxhetin e vitit 2025 për Komunat e Prishtinës, Gjilanit, dhe Zubin Potokut, dhe të krijohet mundësia që komunat të paguajë faturat e grumbulluara si pasojë e mungesës së buxhetit.
Qeveria dje ia ka përcjellë Kuvendit të konstituuar materialin buxhetor të vitit 2025 për tri komuna që s’kishin arritur ta votonin buxhetin për vitin 2025 brenda afatit ligjor (Prishtina, Gjilani, Zubin Potoku).
Përmes procedurës së përshpejtuar prej 72 orësh, Kuvendi i Kosovës mund t’i miratojë buxhetet e këtyre komunave për vitin 2025 dhe të hapet rruga për pagesën e faturave që janë grumbulluar qysh javën që vjen.
Uroj që deputetët e opozitës të lënë anash inatin politik e të bëjnë veprimin e duhur, fillimisht duke themeluar komisionet parlamentare, e pastaj edhe duke votuar për buxhetet e këtyre komunave.
