Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se Ligji me të cilin sivjet u kanë shkuar qytetarëve faturat e tatimit në pronë është miratuar në vitin 2017, i cili ka paraparë që 5 vite pas hyrjes në fuqi t’i tatimoj tokat me 100 për qind.
Sipas Muratit, ky ligj është miratuar në qeverinë e Isa Mustafës, derisa ka hyrë në fuqi pas një viti kur në qeverisje ishte Ramush Haradinaj.
“Ligji që ka qenë i miratuar më 2018 për tatimin në pronë, ishte miratuar nga qeveria Mustafa, më 4 maj 2017, kur Avdullah Hoti ministër. Por ky ligj nuk ka hyrë në fuqi pasi qeveria kishte rënë. Pastaj në qeverinë Haradinaj, me 26 janar 2018 është publiku dhe ka hyrë në fuqi i cili i ka caktu disa afate dhe kushte që i detyrojnë institucionet e vendit që t’i respektojnë. Sipas nenit 7 të këtij ligji në vitin e 5 të hyrjes në fuqi, tatimi 100 për qind i tokave prej hyrjes në fuqi të këtij ligji kanë filluar të hyjnë në tatim edhe tokat dhe tatimi aplikohet në vlerën prej 100 për qind, këtë e ka përcaktuar ligji, Ministria nuk ka pas nevojë të merr asnjë vendim dhe pagesa më e madhe e faturave shkon nga ky tatim”, tha Murati.
Megjithatë, ministri Hekuran Murati tha se nëse Komunat do të bëjnë kërkesë që të zbritet vlera e tatimit në pronë për këtë vit për t’ua lehtësuar qytetarëve pagesën, ministria do të jetë e gatshme të merr vendim në ndihmë qytetarëve.