Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat më të fundit për pagën mesatare në vend, e cila për vitin 2025 ka arritur në 713 euro bruto.
Duke u bazuar në këto të dhëna, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se kjo përkthehet në rritje prej 247 eurosh apo 53% krahasuar me fillimin e mandatit qeverisës 2020–2025.
Sipas tij, në periudhën pesëvjeçare para Qeverisë Kurti (2014–2019), paga mesatare në vend ishte rritur vetëm 74 euro apo 18%.
Murati tha se “rritja e pagës mesatare me Qeverinë Kurti ka qenë 3-fish më e madhe sesa me qeveritë Mustafa e Haradinaj”.
Ai gjithashtu u bëri thirrje mediave dhe analistëve që, kur flasin për rritje pagash, t’u referohen statistikave zyrtare për të siguruar informim të saktë të qytetarëve.

