Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka deklaruar se për 8 muaj në Kosovë janë regjistruar 8,021 ndërmarrje të reja.
Duke iu referuar të dhënave të ASK-së, ai ka thënë se trendi i vitit 2023 ka vazhduar dhe në 2024.
“Sipas ASK-së, gjatë vitit 2023 janë shtuar 9,807 ndërmarrje të reja neto, pra 11,409 ndërmarrje të regjistruara të reja dhe 1,602 ndërmarrje të shuara. I njëjti trend ka vazhduar edhe në vitin 2024, ku për 8 muajt e parë kemi 8,021 ndërmarrje të reja të regjistruara, apo mesatarisht 1 mijë regjistrime të reja në muaj. Kjo na bën të besojmë që deri në fund të vitit do të kemi rreth 12 mijë ndërmarrje të reja të regjistruara”, shkroi ai në Facebook.
Sipas ministrit këto janë faktet ndërkohë që opozita “po bën huqje”, kur po flet për rënien e numrit të bizneseve.
“Ndërsa opozita në anën tjetër bën huqjen e radhës duke pretenduar se në vitin 2023 ka pasur rënie të numrit të bizneseve”, është shprehur ai.
Opozita vazhdimisht e kritikon Qeverinë për manipulim me shifra, duke i keqpërdorur ato për qëllime propagandistike.