Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka paralajmëruar që në vitin 2024 do të ketë “boom” në trendin e investimeve kapitale.
Po ashtu, Murati ka shkruar se viti 2023 ka qenë i duhuri për investimet kapitale, teksa ka theksuar se ky rezultat është i mirëpritur pas shumë punëve në rregullimin e problemeve që ishin “trashëguar”.
“Investimet kapitale në 2023 shënojnë rritje prej 33%, niveli më i lartë ndonjëherë. Raporti vjetor tregon se viti 2023 është përmbyllur me rreth 561 milionë euro investime kapitale buxhetore të realizuara. Kjo shënon një rimëkëmbje të theksuar të investimeve kapitale krahasuar me vitin paraprak, e njëkohësisht edhe shifrën më të lartë të investimeve kapitale të realizuar ndonjëherë. Lajmi akoma më i mirë është se trendi i vitit 2024 deri më tani tregon për performancë edhe më të mirë sesa viti 2023 dhe pritet që sivjet të kemi “boom” të investimeve kapitale. Ky rezultat është i mirëpritur pas shumë e shumë punëve në rregullimin e problemeve që ishin trashëguar, me projekte të padizajnuara si duhet dhe pa kryer obligimet e shpronësimit, probleme të cilat për shumicën e projekteve tashmë janë zgjidhur”, ka shkruar Murati në Facebook./teve1.info/.