IndeksOnline ka raportuar më herët për rastin që lidhet me ankesat e Valon Salihut, pronarit të disa lokaleve në lagjen “Fidanishtja” në Gjilan, i cili është përballur me vështirësi në shfrytëzimin e tyre për shkak të një muri të ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme.
Ky rast tashmë ka kaluar në fazën gjyqësore dhe sot ka pasur zhvillime të reja në Gjykatën Themelore në Gjilan.
Gjatë seancës fillestare është trajtuar çështja penale ndaj Entela Hysenit, drejtoreshë e Inspeksionit në Komunën e Gjilanit, e cila akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, pikërisht për rastin e Valon Salihut.
Prokuroria ka paraqitur aktakuzën, duke theksuar se ekziston dyshim i bazuar se Hyseni, në cilësinë e saj si drejtoreshë e Inspeksionit, ka urdhëruar fillimin e një rrënimi pa autorizuar ndonjë person për ekzekutimin e tij.
“Nuk e pranoj veprën penale, sepse nuk e kam kryer,” ka deklaruar e pandehura Entela Hyseni para trupit gjykues.
Përfaqësuesi i të dëmtuarit Valon Salihu, avokati Alban Makolli, iu bashkëngjit ndjekjes penale dhe kërkoi kompensim të dëmit, duke theksuar se rrënimi ende nuk është ekzekutuar, ashtu siç përshkruhet në aktakuzë.
Avokati mbrojtës i të pandehurës, Abdylaziz Sadiku, deklaroi se i bashkohet plotësisht fjalëve të klientes së tij dhe theksoi se, meqë nuk është pranuar fajësia, Hyseni dhe mbrojtësi i saj kanë të drejtë të paraqesin kundërshtime për pranueshmërinë e provave brenda një afati prej 10 ditësh.
Sipas aktakuzës, Entela Hyseni nga data 02.07.2024 nuk ka përmbushur detyrimet e saj ligjore, duke mos ekzekutuar aktvendimin për rrënim, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të Valon Salihut. Kjo e bën atë përgjegjëse për shkelje ligjore, sipas Prokurorisë.
IndeksOnline ka raportuar disa herë për këtë çështje, përfshirë edhe intervista me palën e dëmtuar. Drejtoresha Hyseni ka refuzuar të japë sqarime për rastin dhe, siç kemi raportuar më parë, është mbyllur në zyrën e saj, duke shmangur komunikimin me redaksinë.
Për këtë problematikë, në dijeni por pa përgjigje është edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.
‘’Unë jam në dijeni për këtë rast, por nuk mundem me u përgjigj për drejtoreshën. Nëse ajo nuk gjenë kohë me u përgjigjë për detyrat e saj. Unë po ja dërgojë drejtoreshës numrin tënd dhe ajo do të përgjigjet. Unë jam plotësisht në dijeni ckado që ndodh në komunën tonë’, pati thënë kryetari Hyseni në një prononcim për IndeksOnline.
Procesi tashmë ka hyrë në fazën gjyqësore dhe pritet të shihet se si do të zhvillohet më tej.
IndeksOnline do të vazhdojë ta ndjekë nga afër këtë rast dhe të sjellë informacione të reja për publikun./IndeksOnline/