Hapja e kufirit në Koshare kishte rëndësinë e një stende mjekësore, ka thënë drejtori i bordit të Octopus-it, Agim Musliu. Sipas tij, kjo betejë e UÇK-së e shkatërroi “trombin serb” të vendosur dhunshëm në kufirin Shqipëri-Kosovë, shkruan KosovaPress.
Teksa ka përmendur heronjtë dhe dëshmorët e kësaj beteje, Musliu ka shkruar se të njëjtit “shpërthyen kufirin dhe e mbajtën Kosovën gjallë”.
“Hapja e kufirit në Koshare kishte rëndësinë e një stende mjekësore në raport me furnizimin e trupit me gjak! Beteja e Koshares e UÇK-së e shkatërroi atë “tromb” serb që ishte vendosur dhunshëm në kufirin Shqipëri-Kosovë. Agim Ramadani, Sali Çeku e dëshmorë të tjerë, edhe shumë heronj të tjerë të gjallë si Nasim Hararinaj e Gjenerali Kudusi Lama e shpërthyen kufirin dhe e mbajtën Kosovën gjallë! Sot bëhen 26 vjet nga kjo ngjarje historike, e trimat tanë do t’i kujtojmë përherë”, ka shkruar Musliu.
Beteja e Koshares më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.