Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosjes s’kanë asnjë përgjegjësi për pozitat që mbajnë por vetëm bëjnë propagandë. Madje, ka thënë se udhëheqësit e Vetëvendosjes bëjnë fushatë që do t’ua kishin lakmi edhe regjimet diktatoriale.
Këtë reagim Mustafa e ka ndërlidh me gjendjen e fundit ku një person vdiq si pasojë e koronavirusit dhe me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
“Prandaj, kur dëgjoj disa zyrtar të lartë qeveritar të VV-së se me çfarë papërgjegjësi flasin dhe si konstruktojnë aleanca, më vjen ta gjykoj veten për gabimin që e bëra kur e mbështeta këtë koalicion me këta njerëz që s’kanë asnjë përgjegjësi për pozitat që i mbajnë por vazhdojnë me fushatë dhe propagandë, për çfarë do t’ua kishin lakmi edhe regjimet më diktatoriale”, ka shkruar Mustafa në një reagim në Fb.
Isa Mustafa kërkoi para disa ditësh të shpallej gjendja e jashtëzakonshme. Këtë ide e përkrahu edhe Hashim Thaçi, President i Shtetit. Pastaj, edhe Agim Veliu. Si pasojë e kësaj Ministri i Brendshëm u shkarkua.
Lideri i LDK’së e ka gjetur gjithë fillin se pse ndodhi një situatë e tillë. Gishtin e ka drejtuar kah Albin Kurti.
“Çështja u trajtua me konspiracion nga Kryeministri”, ka konstatuar Mustafa.
Albin Kurti prej se ka hyrë në Zyrën e Kryeministrit e ka vazhduar luftën politike me Hashim Thaçin. Ditë më parë propozoi shkarkimin e Presidentit pse i njëjti kishte bërë një marrëveshje me NATO’në. Më vonë u tërhoq dhe i kërkoi takim.
Sidoqoftë, Isa Mustafa ka folur përsëri për Gjendjen e Jashtëzakonshme, duke thënë se edhe buxheti i shtetit u votua në këtë frymë.
“Vendet fqinje po aplikojnë të gjitha masat, përfshirë gjendjen e jashtëzakonshme dhe orën policore.
Para pesë ditësh edhe unë dhashë idenë për aplikimin e masave të jashtëzakonshme, sepse isha dhe jam i bindur se askënd s’duhet ta pengoj që të gjithë ta bëjnë punën e vet në këtë situatë. Se nuk është koha ti masim muskujt, se kush është më i forti, por të bashkojmë muskujt, të krijojmë sinergji, ku 1+1 bëjnë 3. Çështja u trajtua me konspiracion nga Kryeministri. Problemi i tij dhe i papagajëve që e rrethojnë u thjeshtëzua se kush duhet të jetë më i fuqishem, ai apo Presidenti, por jo se si te mbyllet cikli i të gjitha masave. Bile u tentua nga të krisurit e oborrit qeveritar që kjo të cilësohet si tentim për grushtshtet”, ka shkruar Mustafa.
“Sipas kësaj logjike, grushtështeti paska ndodhur në Bullgari, në Maqedonin e Veriut, në Serbi. Se kryeministri I Shqipërisë duhet shkarkuar pasi u tha qytetarëve, nga ndjenja e përgjegjësisë për të krijuar rend, se nëse sillemi keshtu s’do kemi vend ku ti shtrojmë të sëmurit e as vend ku ti varrosim. Me këtë logjikë do duhej të shkarkohet edhe Kancelarja e Gjermanise sepse “i tmerroi” qytetarët kur foli për përmasat prej 60-70 perqind që mund të ketë kjo pandemi në Gjermani. Me këtë logjikë duhet të anulohet Ligji për Buxhetin, sepse ai u aprovuar duke aluduar në situatë të jashtëzakonshme nga qeveritarët”, ka shtuar ai.