Kreu i LDK’së, Isa Mustafa, i ka reaguar Kadri Veselit pas deklaratave të djeshme të këtij të fundit se një koalicion ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes do të jetë një koalicion i izolimit dhe që nuk do të mund ta luftojë korrupsionin.
Mustafa thotë se këto deklarime të Veselit janë huqje të llojit të vetë që sipas tij dëshmojnë që Kadri Veseli mbetet një politikan i dështuar.
Sipas kreut të LDK’së me këto deklarata Veseli e ka kuptuar tashmë që LDK’ja do të triumfojë në zgjedhje dhe që nuk do të lidh bashkëpunim për qeverisje me PDK’në.
“Koalicioni PAN, i drejtuar nga PDK, me Qeverinë Haradinaj, rrënoi çdo urëlidhje me BE-në dhe SHBA-të.Kryetari i PDK-së, z. Kadri Veseli, dje në Shtërpce dhe Ferizaj konfirmoi dy gjera me rëndësi. E para, se po fiton LDK-ja dhe, e dyta, se e ka marrë vesh që s’ka koalicion me PDK-në.Deklarata se Koalicioni ndërmjet Mustafës dhe Kurtit do të jetë koalicion i korrupsionit dhe i izolimit është huqje e llojit të vet. Por, asgjë më e mirë nuk pritet prej tij. Po e vërteton që s’po arrin të jetë politikan, por mbetet një i dështuar në zejen e vjetër të tij”, ka shkruar Mustafa.
Ndër të tjera Mustafa ka thënë se gjasat për koalicion me partinë e Kurtit janë shumë reale. Sipas tij një marrëveshje e tillë politike do të mundësonte luftimin e korrupsionit.
“Sa i përket koalicionit ndërmjet LDK-së dhe VV, konsideroj se gjasat janë shumë reale. Ky koalicion i drejtuar nga LDK mund ta luftojë krimin dhe korrupsionin dhe të hapë rrugën e integrimeve euroatlantike të Kosovës. Këtë e dëshmon fakti se në qeverisjen e LDK-së nuk ka pasur asnjë aferë korruptive dhe asnjë ministër me aktakuzë dhe se në atë periudhë është nënshkruar Marrëveshja e parë kontraktuale me BE-në, Marrëveshja për Stabilizim-Asocim”, shton ndër të tjera kreu i LDK’së.
Në fund thotë se me fitoren e partisë së tij në krye me Vjosa Osmanin si kandidate për kryeminsitre, Kosovës do t’i hapen dyert në Bruksel e Washington.
“Me fitoren e LDK-së më 6 tetor, Kosova do të ketë qeveri evropiane me një kryeministre evropiane, e cila do ti ketë dyertë e hapura në Bruksel dhe Ëashington”, ka përfunduar Mustafa.