Më shumë se 100 mijë shqiptarë janë regjistruar në tri komunat e Luginës së Preshevës dhe kjo dëshmon se shqiptarët munden, dhe dinë të bëjnë regjistrim. Kështu ka deklaruar kryetari i Partisë Demokratike të Shqiptarëve dhe ish-kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa.
“Në Kosovën Lindore janë mbi 100.000 shqiptarë. Pas deklaratës tendencioze të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar që të monitorojë dhe të mos lejojë shtrembërimin e shifrave në përfundim të procesit të regjistrimit të popullsisë në Kosovën Lindore. Kërkoj monitorim të punës së Institutit Republikan të Statistikave me përfaqësues të shqiptarëve, me rastin e llogaritjes së rezultateve preliminare të regjistrimit të popullsisë”, ka shkruar Mustafa.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se edhe pas regjistrimit të popullsisë nuk do të dihet saktë se sa shqiptarë ka Lugina e Preshevës, pasi shumë po largohen nga atje.
“…Babi dhe mami i regjistrojnë dy fëmijët e tyre që nuk kanë ardhur prej katër vitesh, por janë në Gjermani ose Zvicër, thonë se jetojnë, kështu regjistrohen dhe çfarë mund të bësh atje. Dëshira jonë është që të gjithë të kthehen, pa dallim kombësie. Ata shqiptarë janë qytetarët tanë, janë të mirëseardhur, është mirë që punojnë dhe kontribuojnë në GDP në këtë vend”, tha Vuçiq.
Kundër këtij reagimi ka shkruar edhe një Ragmi tjetër, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginë.
“Deklarimet e tuaja nuk mund të kuptohen ndryshe përveç se në shërbim të devijimit të numrit real të shqiptarëve në përfundim të procesit regjistrimit popullsisë. Nuk mund të jenë të shkëputura nga pengesat e paraqitura në Medvegjë. Ne jemi shumë më shumë, jemi mbi 100 mijë shqiptarë në Luginë. Kështu do ta thotë edhe regjistrimi i popullsisë në regjistrin zyrtar të Entit të Statistikave Republikane. Ftojë bashkësinë ndërkombëtare të monitorojë dhe të mos lejojë shtrembërimin e shifrave në përfundim të procesit regjistrimit popullsisë”, ka shkruar Mustafi i KKSH-së.
Ndryshe sipas medieve në Luginë, para tri ditësh vetëm fshati Tërrnoc, ka tejkaluar numrin prej 10 banorëve të regjistruar. Ky fshat konsiderohet më i madh i ish-Jugosllavisë e rrjedhimisht më i madhi edhe në trojet shqiptare me një popullsi etnike. Regjistrimi i popullsisë në Serbi vazhdon deri në fund të muajit.
Për regjistrimin e shqiptarëve në tri komunat, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë ka bërë thirrje edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti./rtklive/