Zëdhënësi i LDK-së dhe kandidati për deputet, Besian Mustafa, ka thënë se nëse arrihet të jetë pjesë e Kuvendit do të fokusohet më shumë në zhvillimin ekonomik pasi edhe i takon kësaj fushe.
Mirëpo ai për përbërjen e grupit parlamentar të LDK-së tha se është ende herët të flitet, njofton Klan Kosova.
“Po presim numërimin përfundimtar nga KQZ-ja që ta dimë se cila parti ku qëndron edhe në numër nominal të votave. Sa i përket përbërjes të grupit parlamentar është pak herët të flasim dhe për këtë nuk dua të spekuloj për numrin”.
“Tashmë është bërë një vit që jam zëdhënës i partisë dhe nëse arrij të jem deputet do të jem për herë të parë. LDK ka një numër të konsiderueshëm të djemve dhe të vajza të reja që do të jenë në Kuvend”.
“Do të ketë deputetë të ri por edhe të tillë që kanë përvojë të gjatë në politikë. Nuk do të mungojë përvoja politike dhe profesionale e deputetëve të LDK-së. Personalisht do të përqendrohem në fushën e zhvillimit ekonomik, veçanërisht në aspektin financiar ku kam më shumë se 10 vjet eksperiencë. Kam edhe një interes personal që të shoh një zhvillim më të hovshëm të rinisë apo të grave ku rreth 65 për qind e grave të reja janë të papuna”.
“Ata që sjellin ide të reja dhe përfaqësim më të afërt të LDK-së ne i kemi kryesisht në përbërje dhe me këto grupe parlamentare po i afrohemi më shumë përfaqësimit të këtyre grupeve demografike”
Mustafa ka shtuar se janë duke punuar në arritjen e marrëveshjes me Lëvizjen Vetëvendosje edhe në aspektet teknike të programit.
“Vjosa Osmani ka udhëtuar në Washington, por grupet teknike dhe punuese kemi vazhduar takimet që të ndërtojmë ura ndërlidhëse. Nuk është sekret ne kemi dallime pasi që ne jemi të djathtë dhe Vetëvendosja e qendrës së majtë, por për hir të interesit të Kosovës qysh para zgjedhjeve kemi shprehur gatishmërinë për koalicion”.
“Dallimet që i kemi pasë bashkërisht i kemi tejkaluara dhe ne jemi të angazhuara që temat teknike t’i kemi të përgatitura. Pra që të mos kemi dallime programore dhe të kemi një program të përbashkët mes dy partive”.
“Po punojmë që të kemi një koalicion LDK dhe VV, po ashtu siç e dini jemi pajtuar që kushdo që i fiton zgjedhjet e merr postin e kryeministrit”.
Mustafa në Info Magazine tha se as për dialogun nuk kanë dallime të mëdha që mund të jenë shkak për mosarritje të koalicionit.
“Për momentin nuk shohim asnjëra palë një temë që nuk na lejon koalicion. Nuk besoj që kemi ndonjë temë të tillë dhe besoj që dallimet do t’i zgjidhim për të krijuar një qeveri të përbashkët. Mund të mbetet ndonjë detaj që më pas do të zgjidhim, por për momentin nuk shoh asnjë dallim të madh”.