Profesori Murat Mustafa vlerëson se rishikimi i politikave të pensionimit për mësimdhënësit duhet të trajtohet si domosdoshmëri strategjike për të ardhmen e arsimit, e jo thjesht si ide reformuese.
Sipas tij, profesioni i mësuesit kërkon angazhim të lartë mendor, fizik dhe emocional, si dhe përshtatje të vazhdueshme me metodat bashkëkohore të mësimdhënies. Për këtë arsye, Mustafa propozon uljen e moshës së pensionimit në 60 vjeç për mësimdhënësit dhe 58 vjeç për mësueset.
Ai po ashtu sugjeron krijimin e mundësisë për pensionim të parakohshëm për mësimdhënësit që, pas shumë vitesh shërbimi, e kanë të vështirë të përballojnë ritmin e punës në klasë. Sipas propozimit, pensionimi i parakohshëm do të mbështetej financiarisht në mënyrë graduale, ku në vitin e parë ose dy vitet e para do të përfitohej 75 për qind e pensionit, ndërsa më pas pensioni do të paguhej i plotë.
Njëkohësisht, mësimdhënësit e rinj që do t’i zëvendësonin ata do të paguheshin me 75 për qind të pagës, duke krijuar një tranzicion të qëndrueshëm financiar dhe institucional.
Mustafa thekson se një reformë e tillë do të ndikonte drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së arsimit, hapjen e vendeve të reja të punës për të rinjtë, qarkullimin natyral të kuadrove dhe zbutjen e emigrimit të të rinjve të kualifikuar. Po ashtu, sipas tij, do t’u sigurohej dinjitet mësimdhënësve veteranë pas një jete të tërë në shërbim të arsimit.
Në fund, profesori Murat Mustafa i bën thirrje Ministrisë së Arsimit që të ndërmarrë një reformë të guximshme dhe të menduar mirë, duke vendosur mësimdhënësin në qendër të politikave arsimore dhe duke krijuar një grup pune me ekspertë, sindikata dhe hartues të politikave publike.

