Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, lidhur me debatin rreth teorive të presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve me Serbinë, ka thënë se shansin atij për t’u sjellë kështu ia dha askush tjetër pos Qeverisë së Kosovës.
Sipas Mustafës, Qeveria u tërhoq nga obligimi i dialogut (negocimit) që me Kushtetutë dhe vendim të Kuvendit i takon.
Në fillim të këtij viti i propozoi Kuvendit një platformë për dialogun Kosovë-Serbi, pa asnjë përmbajtje, veç asaj se, ( sipas Qeverisë) dialogun duhet ta udhëheqë Presidenti i Kosovës. Po të mos ishte kjo sjellje dhe ky veprim i Qeverisë, ne s’do të kishim problem as me Presidentin dhe as me teoritë e tij për korrigjim të madh e të butë të kufijve dhe as me ofertën për shkëmbim të territorit si pasojë përfundimtare e korrigjimit”, ka shkruar Isa Mustafa në profilin e tij në Facebook.
Ky është postimi i tij i plotë:
“Duke lexuar opinione të ndryshme fitohet përshtypja se po bëhet garë se kush po i thotë më shumë e më fort Presidentit se e ka keq me përhapjen kokëfortë të teorive të tij shumë konfuze, por të rrezikshme, për korrigjim të kufirit me Serbinë, si zgjidhje e marrëveshjes përfundimtare. Qe e ka keq dhe gabim? E ka! Por shtrohet pyetja se kush ia dha shansin që ta ketë keq.
Qeveria, dhe askush tjetër!
Qeveria u tërhoq nga obligimi i dialogut (negocimit) që me Kushtetutë dhe vendim të Kuvendit i takon asaj. Në fillim të këtij viti i propozoi Kuvendit një platformë për dialogun Kosovë-Serbi, pa asnjë përmbajtje, veç asaj se, ( sipas Qeverisë) dialogun duhet ta udhëheqë Presidenti i Kosovës. Po të mos ishte kjo sjellje dhe ky veprim i Qeverisë, ne s’do të kishim problem as me Presidentin dhe as me teoritë e tij për korrigjim të madh e të butë të kufijve dhe as me ofertën për shkëmbim të territorit si pasojë përfundimtare e korrigjimit.
Në fakt qeveria ishte e vetëdijshme se është e pakicës, se nuk ka vota e as fuqi politike për një marrëveshje të tillë. Këtë ia bëri të qartë opozita, sidomos LDK dhe VV. Për këtë sjellje kjo qeveri është dashur të japë dorëheqje e jo të manovrojë me me dialogun si instrument i mbijetesës.
Marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të ndodhë bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke pasur parasysh efektet e saj për shtetësinë e Kosovës por edhe për regjionin. Marrëveshja mund të bëhet vetëm me një pajtueshmëri te gjere të forcave politike në Kosovë, me legjitimitet politik e kushtetues, pas zgjedhjeve nacionale”.