Anëtari i kryesisë së PDK-së, Arben Mustafa në emisionin EURO n’7 ka përshkruar si shumë të rëndë situatën ekonomike në vend bile ai ka shkuar aq larg saqë e ka quajtur si më të rëndën që nga shpallja e pavarësisë së vendit.
“Duke u bazuar në fakte dhe të dhënat ekonomike, mund të them se situata ekonomike në vend është më e rënda që nga shpallja e pavarësisë së vendit. Nëse e shohim rritjen ekonomike në vend është më e ulëta që ka pasur Kosova që nga shpallja e pavarësisë, jemi nën potencial që ka gjeneru vendi më herët, pra me këtë rritje mesatare ekonomike të kësaj qeverie me 3.3% nuk mund të adresohen problemet që kanë qytetarët tanë, pra të hapur vende të reja të punës apo për të pasur të ardhura më të larta. Me ketë rritje ekonomike prej 3.3% nuk mund të flasim për asnjë aspekt të përmirësimit të jetës së qytetarëve tanë”, ka deklaruar Mustafa.
Tutje anëtari i kryesisë së PDK-së ka thënë se inflacioni ka rënduar tej-mase jetën e qytetarëve tanë derisa qeveria nuk ka marr asnjë masë parandaluese e cila do tu lehtësonte jetën qytetarëve.
“Që prej ardhjes në pushtet të Albin Kurtit kemi rritje të çmimeve prej mbi 30% çka do të thotë se qytetari i Kosovës ka të ardhura më pak për 30% derisa niveli i pagave ka mbetur pothuajse i pandryshuar. Qytetari ynë gjatë kësaj periudhe qeverisëse është varfëruar”, ka shtuar Mustafa.
Sipas Mustafës asnjë indikator ekonomik i nxjerre për këto tri vite të qeverisjes së Kurtit nuk të jep shpresë së për përmirësim të gjendjes ekonomike, ngase investimet në sektorin privat, në sektorin publik dhe investimet e huaja direkte kanë shënuar rënie dhe janë tregues të qartë të politikave të gabuara të kësaj qeveria.