Lidhja Demokratike e Kosovës synon ta zgjerojë koalicionin qeverisës.
Kreu i kësaj partie, Isa Mustafa, ka deklaruar se vendi është futur në situatë e cila nuk garanton stabilitet të institucioneve, pas aktakuzës për krime lufte ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.
“Tani jemi futur në një gjendje me shumë të panjohura, që nuk determinon stabilitet apo jo të Qeverisë, por të të gjitha institucioneve të vendit. Para së gjithash, ardhmërinë e shtetit të Kosovës”, ka thënë ai për Kohën.
Mustafa është pyetur se çfarë mund të ndodhë me pozitën e presidentit nëse Hashim Thaçi jep dorëheqje në rast të konfirmimit të aktakuzës.
Mustafa ka deklaruar se së shpejti do të ndërmarrin hapa për të përmirësuar funksionimin e shtetit.
“Në ditët në vijim do të bisedojmë me të gjithë që kanë gatishmëri, jo për të forcuar pushtetin individual apo partiak, por për të forcuar shtetin e Kosovës dhe funksionalitetin e tij. Ata që Kosovën e duan si fushë të gladiatorëve, nuk besoj se ia duan të mirën!”, ka deklaruar Mustafa.
Në këto rrethana, sipas Mustafës, Kosova ka nevojë të mbështesë institucionet e drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare, si dhe njerëzit e saj që ballafaqohen me drejtësinë deri në përfundimin e këtij procesi. PDK-ja nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet nëse mund të përfshihet në ndonjë marrëveshje eventuale për çështjen e presidentit.
Derisa, Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht është duke kërkuar zgjedhje të reja.
Shtyrja e dialogut Kosovë-Serbi si shkak i aktakuzës, sipas opinionistëve, mund të zgjasë më shumë sesa mendojnë institucionet.
Zhvillimet me Gjykatën Speciale ndikuan që të dështojë takimi i 27 qershorit në Uashington.
Kurse, akoma nuk dihet nëse gjatë korrikut do të mbahet Samiti i Parisit, që fokus kryesor ka dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.