Qemajl Mustafa i cili deri tani drejtonte degën e Partisë Demokratike në Gjilan thotë se vendimin e shefit të partisë, i cili e largoi nga ky post, e ka marrë me shumë lehtësi.
Ai thotë se vendimi i Veselit është i duhur, ndërkohë që për aktakuzat të cilat rëndojnë mbi të, konsideron se janë të qëllimshme, dhe të njëjtat mund të vijnë edhe nga vet grupe brenda PDK-së.
Në një intervistë për KosovaPress, Mustafa bën të ditur se nëse shpallet i pafajshëm do të ri-marrë postin drejtues në PDK-në e Gjilanit.
Mustafa thotë se me vendimin e Veselit pozicionet e tyre janë pezulluar për një kohë të caktuar derisa vendimi i gjykatës të jetë përfundimtar.
Ai thotë se është plotësisht i pastër, por që do të pret fjalën e fundit të drejtësisë.
“Dje e kam prit me shumë lehtësi, zemërgjerësi, kam qenë dhe jam i relaksuar. Ky vendim ka qenë dashtë me ndodh, është vendim jashtëzakonisht i mirë, dhe është mirë që po ndodh pikërisht për veten tonë. Kryetari i partisë e ka marrë këtë vendim për ta pastruar në rend të parë oborrin e tij, për të pastruar në shtëpinë tonë, Partinë Demokratike të Kosovës, për aq sa është e mundur, për shkak se numri i njerëzve që janë nën aktakuza të kësaj natyre është i kufizuar edhe shumica prej aktakuzave janë falso, janë aktakuza të shpifura, të qëllimshme, shpesh janë për të diskredituar tjetrin. Grupe të caktuara në pushtet, klane të caktuara, pse jo edhe nga njerëz brenda PDK-së, dhe jashtë PDK-së, janë qarqe të caktuara, i kanë të gjitha subjektet politike nuk kemi çka me fsheh, prandaj është edhe ky vendim dje i cili është përgjigje në këtë që po e thoni ju, për shkak se vendime të kësaj natyre ka qenë me u dashtë me u marrë edhe më herët”,thotë ai.
Mustafa thotë se sistemi i drejtësisë në vend është komplet i degraduar.
I pyetur se a e dëmton PDK-në vendimi i Veselit, ai pohon një gjë të tillë.
“Po është e vërtetë që kjo në një masë e dëmton Partinë Demokratike të Kosovës, por edhe e çliron nga këto hipoteka, e çliron nga ai ankthi i njerëzve të paprekshëm , i dukurisë së njerëzve të paprekshëm. Sigurisht që ka pasur njerëz të paprekshëm të fuqishëm në PDK, siç janë edhe në partitë tjera politike dhe më vjen mirë që i pari e mori këtë vendim Kadri Veseli, i cili është vendim model për të gjitha partitë tjera. Jam i sigurt që kësaj lufte Kadri Veseli do t’i shkoj deri në fund, sepse në fund të fundit nuk ka alternativë tjetër”, tha ai.
Ai thotë se kudo në Kosovë ka krim, për çka Mustafa mendon se shoqëria kosovare duhet të orientohet nga hapja e rrugës për vende të punës.
E meqë Partia Demokratike e Kosovës, që nga paslufta është në pushtet, ai thotë se një pjesë të fajit për gjendjen e krijuar e ka edhe PDK.
“Jo një pjesë të fajit, por PDK e ka një pjesë kogja të mirë të fajit, me të gjithë ata që kanë qenë në pushtet. Por kësaj lufte është mirë që ja nisi Partia Demokratike e Kosovës. Jo më të pastër janë ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të Aleancës, ose të Nismës që është një lloj derivati i PDK-së. Që të gjithë jemi, po e përdori shprehjen e Edi Ramës, ‘në një kazan’ sa i përket kësaj çështje. Por edhe të mirave”, tha ai.
Mustafa thotë vendimi i Veselit nuk ka qenë i improvizuar as për spektakël, meqë sipas tij, shefi i partisë ka marrë mësim nga improvizimet e mëhershme.
Meqë më nuk do të jetë kryetar i degës së PDK-së në Gjilan, Mustafa thotë se kryesia do të zgjidhet brenda javë e aty edhe do të merret vendim për punën e mëtutjeshme të degës.
Thotë se nëse do të shpallet fajtor, është i gatshëm edhe për dorëheqje.
Mustafa përgjigjet edhe për qeverisjen aktuale në Gjilan.
Ai e quan anarkike qeverisjen e të parit të komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirit, nga i cili siç thotë Mustafa edhe qytetarët kanë pritur më shumë nga ai.
Mustafa thotë se Haziri nuk rri në komunë, e madje se është i papërgjegjshëm.
Ai duke komentuar vendimin e opozitës për mocionin e rrëzimit të Qeverisë, thotë se janë të gatshëm për këtë veprim, për çka, sipas tij janë krijuar edhe kushtet, që vendi të shkoj në zgjedhje.
“Ikja e qeverive është normale, në çdo shoqëri demokratike, ikja e qeverive kur krijohen rrethanat për me ik një qeveri është normale..Thuajse se janë krijuar. Një nga arsyet është edhe ky vendim që e morri Kadri Veseli. Arsyeja tjetër është se për kohë shumë të gjatë është bllokuar procesi i negociatave në Bruksel, dhe ne nuk e kemi përfunduar, nuk jemi shtet ende shtet i përfunduar. Dhe ne pa një marrëveshje të qëndrueshme me Serbinë të garantuara ndërkombëtarisht nuk e kemi përmbyllur shtetndërtimin, derisa nuk përfundon ky shtet-ndërtim ne duhet të ristrukturohemi edhe në Qeveri edhe në Parlament”, tha ai.
Ai thotë se pret që për një kohë të shkurtër, subjektet tjera politike edhe ato që janë në koalicion, edhe ato që janë në opozitë, të ndërmarrin veprim të njëjtë si të Veselit, për çka e quajti edhe vendim model.