Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka njoftuar se ka vizituar ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Jakup Krasniqin të cilët po mbahen në paraburgim në Gjykata Speciale.
Mustafa ka thënë se pavarësisht mos pajtimeve për konceptet partiake e të qeverisjes, kontributi i tyre në luftë por e për paqe në Konferencën e Rambujesë e për pavarësi është i pamohueshëm.
“Në fillim të kësaj jave vizitova ish krerët e UÇK-së dhe drejtuesit e institucioneve më të larta të Republikës së Kosovës për një kohë të gjatë dhe shumë të rëndësishme të shtetndërtimit, Presidentin Hashim Thaçi, dhe kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, të cilët po mbahen bashkë me luftëtarë tjerë në paraburgim në Hagë. Më gëzoi fakti që i gjeta mirë, të mbushur me idealizëm; të bindur në pafajësinë e tyre dhe luftën e drejtë të UÇK-së, të gatshëm për të mbrojtur të vërtetën. Mund të jem pajtuar apo të mos jem pajtuar me njërin apo tjetrin për konceptet partiake e të qeverisjes , por është e pamohueshme trimëria dhe kontributi i tyre në mbrojtjen e popullatës në zonat më të ashpra të luftës dhe zëdhënien për masakrat çnjerëzore nga ushtria dhe shteti i Millosheviçit, ashtu siç është i pamohueshëm edhe kontributi për paqe në Konferencën e Rambujesë, në transformimin e UÇK-së menjëherë pas lufte, në negociatat e Vjenës për shtet të pavarur, në shpalljen e pavarësisë dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike”, ka njoftuar Mustafa në Facebook.
Ai ka uruar që në procesin ndaj tyre që siç ka shkruar ai u iniciua nga konstruksionet e rrejshme ruse-serbe në Raportin e Dick Martit, të fitojë drejtësia.
Sot bëhen dy vjet nga arrestimi i ish-presidentit Hashim Thaçi. Në të njëjtit vit ishin arrestuar edhe dy ish-kryeparlamentarët, Jakup Krasniqi e Kadri Veseli dhe ish-deputeti Rexhep Selimi.