Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, ka kritikuar qeverinë aktuale të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje, duke e akuzuar për korrupsion dhe mbrojtje të individëve të përfshirë në afera të dyshimta.
Në “Debat Plus,” Mustafa ka thënë se qeveria aktuale ka dështuar në luftimin e korrupsionit dhe, përkundrazi, ka mbrojtur individët e akuzuar për veprime korruptive.
“Kur jemi të vjedhja, është mirë që e kemi memorien se çka kanë fol por edhe çka kanë bërë. Nuk ka qeveri, nuk ka pas Kosova kryeministër, që i ka marrë në mbrojtje më shumë ata që janë akuzuar për korrupsion se kjo qeveri.
Ky kryeministër i ka mbrojt edhe kur janë vjedh rezervat shtetërore edhe kur është arrestuar drejtori i KEK-ut për abuzim me paranë publike dhe dëmin të shtet me dhjetëra miliona euro, ka përfshirë njerëz që s’duhet me qenë të përfshirë në çështje të ndjeshme, siç janë rezervat shtetërore.
E mban ambasadorin Martin Berishaj, që është i dyshuar për korrupsion rajonal. Dhe kur jemi te korrupsioni mendoj që kemi parë mjaftueshëm, për të konstatuar që kjo qeveri është e zhytur në korrupsion.
Dhe propaganda që e kanë bërë para se të vijnë në pushtet, i ka zhveshur sjellja e tyre gjatë kësaj qeverie. Dhe për këtë arsye është mirë që jemi në një situatë ku mund t’i vlerësojmë për ngadalë edhe punët edhe sundimin e ligjit dhe ato çfarë i kanë premtuar dhe mënyrën se si janë sjell kur janë ardhur në pushtet”, ka thënë Mustafa në Debat Plus.