“Kemi sjelljen e kryeministrit i cili shprehet se me vendimin për tarifën e mbron Kosovën që të mos ndodhë shkëmbimi i kufijve. Mirëpo, detyrë e tij është që ta drejtojë dialogun sepse gjithmonë kështu ka qenë dhe nëse dëshiron që kjo të mos ndodhë duhet të mos e lërë drejtimin e dialogut por të marrë në drejtim këtë epilog ai vetë”, ka thënë Isa Mustafa.
Ai ka folur pas mbledhjes së kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, që e ka mbajtur të hënën.
“Zgjidhja e vetme që të dalim nga ky qorrsokak është të shkojmë në zgjedhje”, tha Mustafa.
Ai ka mohuar se LDK-ja do të mund të bëhet pjesë e ndonjë qeverie në këtë mandat.
“Askush mos të mendoj në Kosovë që LDK-ja do të hyjë në qeveri në këtë mandat për të shpëtuar ndytësitë e këtij koalicioni përmes LDK-së. Këtë s’do ta bëjmë, këta që e kanë bërë duhet ta lajnë vetë”, ka theksuar Mustafa.
I pari i LDK-së ka ofruar shpjegime për takimin me Thaçin.
“Ai kur ka thirrë me ardhë ka thënë se po e shoh të nevojshme me të lajmëru se me çka po përballemi. Ka thënë se po rrezikohet largimi i trupave amerikane nga Kosova”, tha ai, duke deklaruar se po bëjnë maksimumin që të sigurojnë votat për rrëzim të Qeverisë aktuale.
“Lidhur me mocionin ne po bëjmë maksimumin. Kjo nuk është qeverisja e AAK-së dhe Ramush Haradinajt por është qeverisja e PDK-së. D.m.th. për të rrëzuar PDK-në çdo herë jemi gati”,ka theksuar Mustafa.