Shkruan: Vlerë Krasniqi
Shumica e banorëve të Gjilanit e njohin këtë ndërtesë si ish-Shkolla e Muzikës, por nga muaji maj i vitit 2021, ajo është shndërruar në Muze Etnologjik. Përtej ekspozitave të ndryshme me motive shqiptare dhe tradicionale që gjeni në këtë muze, përfshirë punë dore të krijuara nga rrjeti i grave të organizatës “Gruaja Hynjore”, ky muze karakterizohet edhe nga historia e tij si një monument i rëndësishëm për kulturën dhe trashëgiminë gjilanase.
Në një intervistë me arkitekten znj. Kaltrina Imeri nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore, kemi zbuluar disa karakteristika thelbësore që e dallojnë këtë muze. Muzeu Etnologjik deri më tani i njohur si Shkolla e Muzikës dikur njihej si ish Saraji i Mustafë Pashës. I ndërtuar në vitin 1887 nga Mustafë Pasha me prejardhje nga Dukagjini, ai e përdorte këtë ndërtesë si vendbanim për veten dhe familjen e tij. Znj. Imeri shpjegon se “Para se të ndërtojë Sarajin e tij ku jetoi me familje, ai ndërtoi një konak, mesatarisht njëqind metra në distancë me Sarajin,” . Është interesante të ceket se ky konak “është shfrytëzuar vetëm nga gjinia mashkullore dhe jo nga ajo femërore”. Konaku kishte katër dhoma, dy në katin përdhese dhe dy në të sipërmin.
Periudha tjetër kur ky objekt është shfrytëzuar si banim ishte pas luftës së dytë botërore, në atë kohë ky saraj u ble nga Nuredin Maliq Aga, spikat znj. Imeri. Pas disa viteve, kjo shtëpi kishte kaluar në pronësi shtetërore dhe u shfrytëzua njëherë si shkollë fillore e më pas edhe si shkollë e muzikës. Ndërsa vetëm rishtazi, në vitin 2021 është transformuar në Muze Etnologjik, duke marrë një rol të ri dhe të rëndësishëm në ruajtjen e kulturës dhe trashëgimisë së Gjilanit.
Sa i përket strukturës së muzeut, ky objekt përfshin tri nivele: bodrumin, katin përdhese dhe katin e sipërm. Bodrumi ka dy hyrje të veçanta, ndërsa kati përdhese disponon katër hapësira asimetrike me njëra-tjetrën. Poashtu, edhe kati i sipërm ka katër hapësira asimetrike të cilat ndryshojnë jo vetëm me njëra-tjetrën por edhe me ato të katit përdhese. “Shkallët konsiderohen të jenë pak më të vonshme se sa vetë ndërtesa.” tregon Znj. Imeri . Ajo tutje thekson se karakteristikë më e veçantë dhe intriguese e këtij monumenti janë pikërisht tavanet. Ato janë punuara nga druri, poashtu të realizuara me mjeshtëri në një mënyrë shumë të bukur dhe dalluese. Për më tepër, ato ndryshojnë në mes vete gjë që tregon një diversitet dhe origjinalitet të shkëlqyeshëm. “Njëkohësisht, edhe dallojnë nga njëra tjetra, pra nuk janë të njëjta.”
Përveç vlerave shoqërore dhe atyre të vjetërsisë që posedon ky monument, ai poashtu ka edhe vlerën arkitekturore. Sa i përket kësaj vlere, stili i ndërtimit të objektit është relativisht i rrallë në qytetin tonë, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së këtij stili dhe objekteve tjera me vlerë kulturore dhe trashëgimore. “Do ta kishim pasur Gjilanin shumë më të pasuruar si qytet me monumente të trashëgimisë, dhe është e rëndësishme të i ruajmë pikërisht për arkitekturën që posedonin, mënyrën dhe stilin e ndërtimit” , shpjegon arkitektja. Sa i përket fasadës së jashtme, është e stilit neoklasik, veçanërisht tek stili i dritareve. “Nuk është që ka ndonjë veçanti më shumë te pjesa e jashtme, ndoshta pjesa më interesante dhe më veçuese është karakteristika e tavaneve”, cek ajo përsëri.
Në vitin 2008 këtij monumenti i është bërë një restaurim në pjesën e bodrumit ku u shtua një bllok betoni. Para këtij restaurimi, kishte edhe disa intervenime të vogla për të i rregulluar dëmtimet e shkaktuara nga tërmeti I vitit 2002. Pas kësaj, intervenimi i tretë ka ndodhur në vitin 2017. Poashtu përgjatë viteve, kishte dhe mirëmbajtje të herëpashershme dhe disa intervenime të fundit si atëherë kur u shndërrua në muze.
Muzeu Etnologjik së pari hyri ne listën e Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore të Kosovës për mbrojtje të përkohshme në vitin 2011, por tani është shpallur monument në mbrojtje të përhershme me diametër të zonës së mbrojtur pesëdhjetë metra.
Sa i përket vizitorëve, znj. Imeri thotë se muzeu ka vizitorë, shumica prej tyre nxënës, të cilët zakonisht së pari vizitojnë Muzeun e Qytetit dhe më pas vazhdojnë vizitën tek Etnologjiku. Por sipas saj, populli akoma nuk është mirë i informuar se ky objekt është shndërruar në Muze Etnologjik dhe vazhdojnë t’i referohen si ish Shkolla e Muzikës.
Prandaj, është shumë me rëndësi që të jemi më aktiv dhe të nxisim interesimin e qytetarëve të Gjilanit për të mësuar më shumë rreth komunës sonë dhe të gjithë atyre veçorive që e karakterizojnë atë dhe e bëjnë më të dallueshëm. Le të hulumtojmë më shumë rreth historisë së monumenteve të qytetit tonë dhe të thellojmë njohuritë tona për vendin dhe kulturën tonë. Nënvizojmë rëndësinë e vizitës së Muzeut Etnologjik të Gjilanit për të vlerësuar bukurinë e tavaneve të tij, të cilat bëjnë këtë monument të jashtëzakonshëm. Imagjinoni një Gjilan me një sërë objektesh të këtij stili dhe historie. Sa më shumë të ruhen dhe vlerësohen, aq më karakteristik dhe i pasur me vlera kulturore e historike do të jetë qyteti ynë.