Shkruan: ILMI MUSLIU
(Edhe pse personazhet e thjeshta nuk i çmojmë shumë, ata lënë ndonjëherë gjurmët e tyre në qytetin ku kanë jetuar, siç ishte edhe Malushi ynë)
Nevruz Shabani, i njohur në Gjilan me emrin Malushi, ka qenë një nga personazhet më karakteristike të këtij qyteti. Malushi ishte një njeri i thjeshtë, që bënte jetë rruge, por shumë dashamirës me qytetarët që e shihnin çdo ditë dhe, herë e mëshironin me ndonjë cent e herë i kërkonin falje që nuk kishin. Malushi ishte botë në vete, por jo gjithmonë e kuptuan sa duhet bashkëqytetarët e tij. Me këtë emër, Nevruzin, mbase mund ta njoh vetëm ndonjë i rrallë në Gjilan, sepse ai njihej këtu nga të gjithë si Malushi dhe kështu e njihte edhe ai veten e tij. Malushi ka frymëzuar kronistë, poetë e shkrimtarë. Nuk ishte lypsar. Donte nga bashkëqytetarët e tij ta mirëkuptonin kur u kërkonte ndonjë lek sa për në kafe, ose një cigare. Nga ata që i njihte, jo nga të tjerë. Refuzonte të merrte më shumë se kaq, ani pse nuk kishte asgjë të tijën. Donte që të tjerët ta kuptonin se ishte botë në vete, i veçantë dhe i papërsëritshëm. Ai ishte një karakter i veçantë, dinte të ngrysej e të qeshte, varësisht prej situatave, ishte një personazh që rrëfehej përmes “linjave” të fytyrës dhe që, si i tillë, po i mungon Gjilanit prej gati dhjetë vitesh.