Shkruan: Fehmi Sylejmani
Ikja e hershme nga kjo botë e Tahir Muratit na tronditi të gjithëve.
Nuk e pritnim një lajm të trishtë e të hidhur. Shpresonim e besonim në një triumf tjetër, të një kampioni të vërtetë. Siç ishe në jetë. Fatkeqësisht, këtë herë, sëmundja ishte tepër e shpejtë dhe e pashërueshme.
Ai ishte sportist i mirëfilltë, një yll i pashuar.
Me basketboll kishte filluar si fëmijë, duke kaluar fillimisht kategoritë e juniorëve e më pas edhe e ekipit të parë dhe kampion i Kosovës në basketboll, me Dritën në vitin 1997/98.
Ai qe mjeshtër i dy-hapëshit në basketboll, një stil i veçantë dhe unik i tij.
Pas përfundimit të karrierës si lojtar aktiv i lojës në mes koshave, ai kishte kryer punën edhe si trajner i kategorive të reja, e herë pas here edhe i ekipit të parë.
Për shumë vjet, sa punoi si trajner, ai dha kontribut të çmuar ne identifikimin e talenteve dhe edukimin e brezave të rinj.
Ai qe një njeri i kompletuar, paqësor, pedant, i pashëm, i urtë dhe tejet i dashur.
Një afarist korrekt e agjërues i devotshëm, një pjesëmarrës i guximshëm dhe i përhershëm i protestave të fundviteve të 80-ta.
Ai la gjurmë të pashlyeshme në komunitetin sportiv të Gjilanit. Figura e Tahirit do të mbahet mend gjatë tek ata, të cilët patën rastin ta takojnë dhe të mësojnë prej tij.
Lamtumirë legjendë, lamtumirë kampion!