Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar për marrjen e vendimit për rregullimin e çmimeve për produktet e naftës së përdorshme në transport.
Përmes një postimi në Facebook, ministrja Rozeta Hajdari ka thënë se vendimi “është rezultat i mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të produkteve të naftës, ku si rezultat është evidentuar se, ndryshimet e çmimeve furnizuese nga importi reflektohen menjëherë në rritje të çmimeve shitëse në tregun vendor, por jo edhe kur bien çmimet furnizuese nga importi i produkteve të naftës”.
Njoftimi i plotë:
Me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe konkurrencës së ndershme në tregun vendor, me 4 mars, 2025, nënshkrova vendimin për rregullimin e çmimeve dhe vendosjen e masave të tjera mbrojtëse, për produktet e naftës të përdorshme në transport.
Ky vendim është rezultat i mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të produkteve të naftës, ku si rezultat është evidentuar se, ndryshimet e çmimeve furnizuese nga importi reflektohen menjëherë në rritje të çmimeve shitëse në tregun vendor, por jo edhe kur bien çmimet furnizuese nga importi të produkteve të naftës.
Këto të dhëna janë nga evidencat e përditshme të Doganës së Kosovës dhe raportet e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut.
Sipas këtij vendimi, përcaktohet:
– marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë në dy (2) eurocentë për litër dhe
– marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë në dymbëdhjetë (12) eurocentë për litër.
Po ashtu, ky vendim i detyron subjektet për t’u furnizuar me produkte dhe për të ofruar për shitje produktet e naftës, pa ndërprerje, si dhe të respektojnë çmimet me marzhën tregtare maksimale të lejuar dhe tjera masat mbrojtëse, të përcaktuara.
Poashtu, zbatimi i këtij vendimi parasheh mbikëqyrje të shtuar inspektuese, paraqitjen e rasteve të dyshimta te Autoriteti i Konkurrencës, si dhe bashkëpunim të ngushtë të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut me Doganën dhe Administratën Tatimore të Kosovës.
Ky vendim është një hap tutje drejt promovimit të konkurrencës së ndershme të tregut dhe mbrojtjes së konsumatorëve, duke parandaluar sjelljet antikonkurruese, duke siguruar transparencë dhe kushte të barbarta në tregun e Republikës së Kosovës.