Ministria e Arsimit ka njoftuar se ka hapur aplikimin për subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore për vitin e ri shkollor, përmes platformës digjitale “e-Kosova”. Ky subvencion synon të lehtësojë barrën financiare të prindërve dhe kujdestarëve për blerjen e materialeve të nevojshme për nxënësit.
Sipas njoftimit, prindërit mund të aplikojnë për të përfituar shumën prej 80 eurosh për çdo nxënës nga klasa 1 deri në të 5-ën, për të blerë libra dhe materiale mësimore. Po ashtu, 80 euro janë të dedikuara për nxënësit nga klasa 6 deri në klasën e 9-të, për fletore pune dhe materiale të tjera që ndihmojnë procesin mësimor.
Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, në një intervistë për lajmet qendrore të RTK-së, ka deklaruar se deri tani kanë aplikuar rreth 50 për qind e prindërve.
Ajo gjithashtu është përgjigjur për ankesat e ngritura nga qytetarët lidhur me cilësinë e librave të përdorur që kanë qarkulluar në shkolla vitet e kaluara. “Nuk e përjashtoj mundësinë që të ketë pasur raste të tilla, mirëpo deri më tani nuk kemi pranuar asnjë ankesë zyrtare në Ministri”, u shpreh Nagavci.