Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka kërkuar që të mos ketë grevë në sektorin e arsimit e sidomos në çerdhe e në shkolla.
Nagavci ka thënë se edhe pse greva është shpallur nga ana e BSPK-së, e njëjta nuk është duke u mbajtur në shumicën e institucioneve, raporton Teve1.info
Sipas saj, në shëndetësi e në sektor të tjerë, po zhvillohet aktiviteti i punës njëjtë si çdo ditë tjetër.
“Në këto rrethana nuk mund të rri pa e përmendur grevën tashmë të shpallur nga ana e BSPK-së, ashtu siç besojë edhe pse kjo grevë është shpallur nga ana e BSPK-së dhe është deklaruar për të gjithë shërbyesit civil e zyrtarët publik e njëjta nuk është duke mbajtur në shumicën e institucioneve, me aq sa kemi të dhëna janë diku mbi 90% e institucioneve të nivelit qendror të agjencive e institucioneve në administratën publike, në shëndetësi e në sektor të tjerë ku është duke zhvilluar aktiviteti i punës njëjtë edhe si çdo ditë tjetër. Andaj unë pres dhe kërkoj që të mos ketë grevë as në sektorin e arsimit e sidomos në sektorin e arsimit në çerdhe e në shkolla ku fëmijët e presin 1 shtatorin që të fillojë mësimi”, tha Nagavci.
Ajo thotë se iu janë përgjigjur çdo kërkesë të SBASHK-ut çdoherë që kanë kërkuar, teksa ka kërkuar nga punëtorët e arsimit që t’i marrin vendimet pa asnjë presion nga askush.
“Me përgjegjësinë më të lartë ju njoftojë se gjatë mandatit tim si ministre janë përfshirë pothuajse të gjitha kërkesat që kanë qenë për sigurinë dhe mirëqenien e stafit arsimor. Ju jemi përgjigjur çdo kërkese të SBASHK-ut për takime saherë që ata kanë kërkuar. Lus të gjithë punëtorët e arsimit që vendimet t’i marrin me kujdes dhe pa asnjë presion nga askush”, ka deklaruar Nagavci.
Po ashtu, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, teksa potencoi se janë shpërndarë tekstet shkollore.