Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci, ka bërë thirrje që të respektohet kalendari për zëvendësimin e orëve të humbura, pasi sipas saj është në interesin e nxënësve.
Ajo është shprehur se kushtet për zëvendësimin e orëve janë të mira duke marrë parasysh motin e mirë.
Madje Nagavci thotë se edhe fëmijët nuk janë të stërngarkuar dhe se orari për zëvendësim parasheh vetëm dy të shtuna për një muaj vetëm në gjysmë vjetorin e parë.
“Është kalendari që duhet të respektohet, është interesi më i mirë i fëmijëve. Humbjet kanë qenë të shumta kështu që orët duhet të zëvendësohen. Jemi në përparësi sepse edhe moti është i mirë kohëzgjatja e pushimit për fëmijët ka qenë tepër i madh kështu që nuk është që kemi fëmijët që janë të stërngarkuar apo të lodhur, e për më tepër janë dy të shtuna në muaj për të cilat është planifikuar zëvendësimi dhe ato vetëm në gjysëmvjetorin e parë”.
“Nëse e shohim në vazhdimësi pjesëmarrja në mësim nga ana e nxënësve ka qenë e madhe prej secilën të shtunave. Unë pres që nuk do të ketë mungesa në shkollë sepse kjo behët për interesin më të mirë të fëmijëve”, tha ajo.
Nagavci u shpreh se inspektorët kanë përcjell situatën e zëvendësimit të orëve dhe se ka pasur dallime në pjesëmarrje nga shkolla në shkollë e po ashtu edhe nga komuna në komunë.
Ajo tha se të shtunën e fundit pjesëmarrja e nxënësve ka qenë e madhe dhe se shpreson që kjo të rritet edhe ditët në vijim.
“Ka pasur në vazhdimësi vizita nga inspektorët të cilët e kanë përcjell situatën ka pasur dallime nga shkolla në shkollë edhe nga komuna në komunë, por e mira është që në të shtunën e fundit pjesëmarrja ka qenë shumë e madhe se sa në ditën e parë dhe unë pres se në ditën vijuese të kemi një pjesëmarrje të plotë të fëmijëve”, theksoi ajo./Express