Nart Llapashtica
Nxënësi i Gjimnazit të shkencave natyrore “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, Nart Llapashtica ka fituar bursë për të përfunduar vitin e fundit të shkollës së mesme në njërin ndër kolegjet më prestigjioze në regjionin e mesëm të Shteteve të Bashkuara, në shkollën përgatitore KEBA, Ohio, ShBA.
Shkolla Përgatitore e KEBA-s është një program elitar i nivelit post-gradë ose të vitit të fundit, i krijuar për të promovuar përmirësimin dhe rritjen e harmonizuar, të individualizuar, në mënyrë që të përshpejtojë dhe avancojë mundësitë e kolegjit për të rinjtë e talentuar.
Narti shprehet se është mjaft i gëzuar dhe i lumtur, derisa tregon se për përfitimin e kësaj burse, ai ka bërë vet hulumtimet paraprake online, përmes së cilës ka rënë në kontakt me kolegjin dhe trajnerin e basketbollit, i cili u nda shumë i kënaqur me performancën dhe talentin e Nartit, dhe iu mundësua që ëndrra shumë-vjeçare e Nartit, të ushtrohet në shkollë Amerikane, u bë realitet.
Në konkurrencën e ngushtë, ku vetëm 15 deri 20 studentë sportist nga e gjithë bota pranohen çdo sezon, Narti arriti të kualifikohet nga kjo garë e ngushtë dhe të fitoj bursën afro 32 mijë dollarë.
Këta lojtarë elitë të zgjedhur do të jetojnë në një atmosferë të stilit konvikt, nën mbikëqyrjen e ngushtë të trajnerit, për të gjithë sezonin 7 mujor. Gjatë këtyre 7 muajve, ai do t’i nënshtrohet trajnimit intensiv, të individualizuar të aftësive të basketbollit, performancës profesionale, qëndrueshmërisë dhe kondicionimit, dhe të garojë në një program të lojërave me konkurrencë të lartë 40-60.
Atletët, ku do të bëjë pjesë edhe gjilanasi Nart Llapashtica do të luajnë edhe kundër shkollave të tjera parapërgatitore të tilla si Brewster, IMG Academy dhe Hargrave dhe kundër kolegjeve të komunitetit si UC Clermont, Miami Middletown, etj.
Ndryshe, Nart Llapashtica ka qenë gjithmonë i shquar si sportist dhe basketbollist, dhe ka ëndërruar që të avancojë karrierën prej sportisti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe tani që ëndrrës së tij po i afrohet realiteti, Narti shprehet të jetë shumë entuziast dhe i gatshëm të vazhdojë të punojë akoma më shumë.