Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, ka deklaruar se Kosova është e përgatitur që të përballet në valën e re të virusit COVID-19.
Sipas tij vendi është përgatitur mjaftueshëm në të gjitha aspektet menaxheriale, organizative, vendimmarrëse, përcjellë Klan Kosova.
”Si shtet jemi të përgatitur edhe për valën e dytë apo të tretë të COVID-19”.
”Jemi të përgatitur në të gjitha aspektet menaxheriale, organizative, vendimmarrëse, politike, zbatuese, ekzekutive e legjislative që t’i dalim përballë valës së re eventuale që pritet të jetë në të gjithë botën prej tetorit e tutje”.
Ai ka thënë se në dy javët e fundit ka rënie të lehtë të rasteve të reja. Ka shtuar se kjo mund të shihet si rënie premtuese nëse vazhdohet me respektim të masave.
Më tej Ramadani shton që nëse qytetarët vazhdojnë t’u përmbahen rekomandimeve të distancës, maskës dhe higjienës, “do të jemi në rrugë shumë të mbarë të zvogëlojmë pandeminë”.
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike thekson se kanë paraparë skenarët se si mund të ketë përzierje të viruseve në muajt e ardhshëm.
Ai shton se do të ketë vaksinim për gripin sezonal fillimisht te popullata e ndjeshme. Sipas Ramadanit, Kosova është në listën e vendeve prioritet për vaksinim sapo të dalë edhe vaksina kundër COVID-19.
Deri tash në Kosovë janë regjistruar 13454 raste pozitive me COVID-19. Prej tyre 525 kanë vdekur, ndërsa 9595 janë shëruar.