Misioni i NATO-s ka thënë se vendimi për hapjen e Urës së Ibrit duhet të merret në dialog dhe në koordinim me ndërkombëtarët, në një takim që kanë pasur të martën në Bruksel me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi përkatësisht Petar Petkoviqit.
Në takim mori pjesë ndihmëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Operacionet, Tom Goffus dhe komandanti i operacioneve civile në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian, Stefano Tomatin. Takimet u zhvillua në margjinat e dialogut të organizuar nga ndërmjetësuesi Miroslav Lajçak.
Në një komunikatë për media, NATO-ja ka thënë se në mënyrë që të mos rrezikohen trupat e saj dhe komuniteti lokal, hapja e urës qendrore në Mitrovicë duhet të vendoset në dialog.
“Goffus theksoi nevojën për zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme [rreth Urës së Ibrit]. Vendimet duhet të merren përmes dialogut, në koordinim në kohë dhe efektiv me komunitetin ndërkombëtar dhe në mënyrë që të mos rrezikohet siguria e komuniteteve lokale apo e trupave të NATO-s”, thuhet në komunikatë.
Goffusi shtoi se “misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO është i detyruar nga mandati i OKB-së për të adresuar çdo shqetësim të sigurisë dhe për të siguruar mjedis të sigurt në veri”.
KFOR-i mban prezencën fikse mbi urë dhe vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth.
Goffusi gjithashtu përsëriti mbështetjen e NATO-s për dialogun e lehtësuar nga BE-ja si “korniza për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve, e cila është kyçe për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitetin në të gjithë Ballkanin Perëndimor”.
Prej disa muajsh, Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do ta hapë Urën e Ibrit – gjë e cila ka hasur në kundërshtim të ndërkombëtarëve. Ndërkombëtarët kanë thënë se ura qendrore në Mitrovicë duhet të hapet, por me dialog dhe në momentin e duhur.
Kryenegaciatori i Serbisë, Petar Petkoviq, pas takimit të sotëm me Lajçakun e ka kushtëzuar hapjen e Urës së Ibrit me zgjerim të territorit të Mitrovicës së Veriut.