Ish-kandidati për kryetar të Gjilanit, Nazim Gagica, ka reaguar ashpër ndaj projektit të prezantuar nga kryetari aktual, Alban Hyseni, për “Gjilani Smart City”.
Sipas Gagicës, sistemi i ri nuk është as inovacion e as risi, por thjesht një vazhdim i projekteve të nisura vite më parë, të cilat tash po paraqiten si diçka e re. Ai thekson se një “upgrade” i sistemit ekzistues do të kishte mjaftuar, duke kursyer rreth 480 mijë euro nga buxheti i komunës.
“Moti janë bërë këto punë që juve sot ju duken risi apo inovacion. ‘Gjilani Smart City’, versioni 2017: punë origjinale. Versioni 2025: e njëjta punë, por me pak grim dhe 500 mijë € faturë”, ka shkruar Gagica.
Ai shtoi se qyteti nuk mund të zhvillohet me marketing elektoral dhe me projekte të mbuluara me propagandë vizuale, por me ide reale dhe punë konkrete.
Gjilani nuk zhvillohet me grim elektoral e marketing, e në anën tjetër as me foto të ditës e të natës. Gjilani zhvillohet me projekte reale, ide dhe punë konkrete dhe jo me make-up politik”, përfundoi ai.