Kuvendi i Gjilanit – peng numrash.
Kur qytetarët e Gjilanit, përballen me vështirësi nga më të ndryshmet në prag të një” dimri të ashpër” të paralajmëruar; kur institucionet arsimore e shëndetësore që drejtohen nga Komuna sfidohen me mungesën e gjërave më elementare për funksionim; kur projektet infrastrukturore janë shpallur ” të vdekura”…. Gjilanit i rri mbi kokë edhe funksionimi e funksionaliteti normal i Kuvendit Komunal, i të vetmit Institucion që mund të bënte diçka më shumë për qytetarët, duke dështuar në vazhdimësi seancat për shkak të mungesës së kuorumit, respektivisht për shkak të krijimit të një shumice artificiale, moskokëçarëse për interesin qytetar dhe të angazhuar për interesa grupore e individuale.
Drejtuesit e tanishëm të Gjilanit, pos paaftësisë për të siguruar shumicë funksionale në Kuvend, shpërfaqin edhe arrogancë e mendjemadhësi, si rezultat mungesë vetëdijeje politike e qytetare për detyrat që kanë dhe kanë marrë përsipër.
AAK në Gjilan ka ofruar e dëshmuar bashkëpunim konstruktiv opozitar për projektet me interes për qytetarët e Gjilanit, po “shumica” jofunksionale në Kuvend, ka zgjedhur që të mos ofrojë zgjidhje dhe shikim serioz e me përkushtim të problemeve të grumbulluara.
Qytetarët e Gjilanit, duhet ta kuptojmë se Kuvendi ka hequr dorë të jetë në shërbim të tyre, ndërsa “shumica” artificiale e jofunksionale ka zgjedhur të burokratizohet e të akomodohet lumtur në kolltukët e pushtetit.
AAK shpreh shqetësimin për mungesën e pērgjegjësisë dhe përgjegjeve adekuate të pushtetit aktual, dhe gatishmërinë për të qenë krah rrugëve që zgjidhin hallet e qytetarëve e qytetit të Gjilanit.
N.G.