Në akademinë përkujtimore të organizuar në nder të 5-vjetorit të ndarjes nga jeta të mësuesit dhe veprimtarit Elez Muja, Nazim Gagica përkujtoi rolin e tij të jashtëzakonshëm për arsimin dhe çështjen kombëtare.
Duke vënë në pah përkushtimin e shqiptarëve ndër shekuj për lirinë e Kosovës – qoftë përmes veprimtarisë ilegale, diasporës, apo arsimit – Gagica theksoi se Elez Muja ishte shembulli i mësuesit dhe shqiptarit të përkushtuar.
Kontributi i tij për edukimin e brezave dhe për pajtimin e gjaqeve e bën atë një figurë të paharrueshme në kujtesën e kombit.
Shkrimi i plotë:
Shqiptarët historikisht kanë qenë të rreshtuar në përpjekjet shekullore për lirinë e Kosovës, dikush në ilegale, dikush nga diaspora e të tjerë përmes arsimit në rrethana të rënda e të përndjekur gjithmonë. I tillë ishte edhe mësuesi ynë, Elez Muja, i cili tërë jetën ia kushtoi edukimit dhe arsimimit të brezave. Aktiviteti i tij për çështjen kombëtare dhe pajtimi i gjaqeve, e bëjnë mësuesin Elez model të shqiptarit të vërtetë.
Sot, në 5-vjetorin e ndarjes nga jeta, kujtojmë e nderojmë jetën dhe veprën e mësuesit Elez Muja, si njëri nga shumë punëtorët e arsimit që asnjëherë nuk mundi armiku ta ndaj nga rruga e tij për arsimin e shqiptarëve, si njër nga format e vetme për tu ngritur si shoqëri e për tu vetëdijësuar si komb.
Puna dhe kontributi i jashtëzakonshëm që ndër breza e kanë dhënë mësuesit tanë, kulmuan me luftën çlirimtare duke e bërë realitet ëndrrën që kishim për shumë dekada e të shtypur; lirinë e Kosovës.
Lavdi jetës dhe veprës së mësuesit, Elez Muja!