Kandidati për kryetar të Komunës së Gjilanit, Nazim Gagica, ka prezantuar sot emrin e ri që do t’i bashkohet listës për Kuvendin Komunal në zgjedhjet e tetorit – Fatmire Lipovica-Surdulli.
Me përvojë të dëshmuar shumëvjeçare në menaxhimin e një biznesi familjar dhe me një profil të qëndrueshëm në fushën e ekonomisë dhe organizimit, Lipovica-Surdulli vjen si një kandidate e përkushtuar për të sjellë përfaqësim të denjë, profesional dhe të guximshëm në Kuvendin Komunal.
“Fatmirja është shembull i një gruaje të suksesshme në ekonomi, por edhe e përkushtuar për të kontribuar në jetën publike dhe zhvillimin e komunitetit. Ajo do të jetë zëri i iniciativës, bashkëpunimit dhe përparimit në kuvend,” u shpreh Gagica gjatë prezantimit.
Fatmire Lipovica-Surdulli vjen me vizion për fuqizimin ekonomik të grave, mbështetjen e të rinjve dhe zhvillimin e qëndrueshëm lokal, me fokus në transparencë, përgjegjësi dhe përfaqësim të balancuar gjinor.
“Jam e gatshme të sjell përvojën time në shërbim të komunitetit dhe të kontribuoj në vendimmarrje me profesionalizëm dhe përkushtim,” ka deklaruar kandidatja.