Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin e Ministrisë së Financave për ndarjen e gjashtë milionë euro për subvencionim të faturave të energjisë elektrike për amvisëritë të cilat kanë ulur konsumin krahasuar me muajt përkatës të vitit paraprak.
Vendimi është miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës.
“Në kuadër të subvencionimit të energjisë elektrike, bëjmë ndarjen e radhës në shumë 6 milionë euro në mënyrë që të vazhdohet subvencionimi i atyre që kanë kursyer energjinë elektrike”, ka thënë ministri i Financave, Hekuran Murati.
Masa 3.7 e Pakos për Ringjallje Ekonomike parasheh mbështetjen e qeverisë në tejkalimin e krizës energjetike.
“Amvisëritë të cilat ulin konsumin e energjisë elektrike krahasuar me muajt përkatës të vitit paraprak e që kualifikohen për përfitim, mbështeten me subvencionim të faturës së energjisë elektrike në raport me kursimin, duke filluar nga fatura e muajit Shtator 2022”, thuhet në Pakon për Ringjallje Ekonomike.