Me pikëllim të thellë është pritur lajmi për ndarjen nga jeta të aktorit të njohur, Jashar Shahiqi, një prej figurave të rëndësishme të teatrit dhe kinematografisë shqiptare.
I lindur më 17 mars 1954, Shahiqi la gjurmë të rëndësishme në skenën teatrore të Gjilanit dhe më gjerë. Ai përfundoi në vitin 1977 studimet në Degën e Artit Dramatik të Universitetit të Prishtinës, në klasën e profesorit të njohur Faruk Begolli.
Gjatë karrierës së tij si aktor profesionist, deri në pensionim, Jashar Shahiqi iu përkushtua skenës me dinjitet dhe pasion të veçantë. Me interpretimet e tij, ai u shqua si aktor i kompletuar, duke i dhënë secilit rol identitet, thellësi dhe vlerë artistike.
Kontribut të veçantë dha edhe në drejtimin institucional të teatrit. Nga viti 2002 deri më 2005, Shahiqi shërbeu si drejtor i Teatrit të Gjilanit, duke kontribuar në zhvillimin dhe jetën artistike e institucionale të këtij institucioni.
Me ndarjen e tij nga jeta, Teatri i Gjilanit humb një prej aktorëve më të çmuar të tij, ndërsa skena humb një emër që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e teatrit.
Rolet, puna dhe krijimtaria e Jashar Shahiqit do të mbeten pjesë e kujtesës artistike dhe kulturore.
Trupa dhe stafi i Teatrit të Gjilanit u shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes Shahiqi, kolegëve, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e çmuan veprën e tij.










