Irfan Shaqiri është lindur më 26.04.1950 në Përlepnicë, nga babai Arifi dhe nëna Binazja.
Dy klasët e para të shkollës fillore i kreu në fshatin e lindjes, ndërsa gjashtë klasët e tjera të fillores i kreu në Gjilan, në shkollën “Musa Zajmi”. Pastaj u regjistrua në normalen e Gjilanit, nga ku edhe përjashtohet më 14 janar 1969 për shkak të organizimit dhe pjesëmarrjes në demonstratën e 27 nënorit 1968 në Gjilan. Pas përjashtimit nga normalja e Gjilanit, Irfani shkoi në Preshevë ku i dha provimet e gjimnazit, për të diplomuar në shtator të vitit 1969.
Menjëherë pastaj, po të njëjtin vit, Irfani u regjistrua në Universitetin e Prishtinë, Fakulteti Filozofik në Degën për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.
Më 1 prill 1969 i organizohet një gjyq në Gjykatën Komunale të Gjilanit ku Irfan Shaqiri u dënua me një vit burg për organizimin e demonstratës të 27 nëntorit 1968 në Gjilan.
Pasi doli nga burgu Irfani vazhdoi studimet e tija në fakultetin Filozofik në Degën për gjuhë dhe Letërsi Frënge.
Nga lëshimi i Irfanit nga burgu i Nishit më 20 korrik 1970 e deri më 29 korrik 1975, kur ai arrestohet me grupin e Adem Demaçit, është arrestuar 14 herë, duke e mbajtur nga 2 orë deri në 72 orë në lokalet e organeve të hetuesisë së UDB-së në Gjilan.
Gjykimi i grupit të Adem Demaçit zgjati disa ditë, për të shpallë më 7 shkurt 1976 dënimet drakonike ndaj të burgosurve, në mesin e të cilëve edhe për Irfan Shaqirin, të cilin gjykata e dënoi me 7 vite burgim.
Si shumë të tjerë, edhe Irfan Shaqiri arrestohet më 2 prill 1981 për t’u dërguar në izolim të plotë, në burgun e Qarkut në Gjilan.
Më 7 shkurt 1974 Irfani filloi për herë të parë të punojë si professor i gjuhës frënge në gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan, ku punoi afro tre muaj, për t’u larguar nga strukturat komunale të Gjilanit si person i papërshtatshëm ideopolitikisht.
Më 1 shtator 1974 Irfani megjithatë ia arriti që të punësohet përsëri si profesor i gjuhës frënge në gjimnazin “Sezai Surroi” në Bujanoc, ku punoi deri më 29 korrik 1975, kur edhe u arrestua me grupin e Adem Demaçit.
Pas mbajtjes së dënimit me burg, Irfani u detyrua të merrej edhe me punë të rënda për të mbajtur familjen e tij, e njëkohësisht duke u angazhuar edhe në rrjedhat politike të kohës.
Irfani ka qenë i martuar me dr. Maxhide Ramiqi-Shaqiri dhe pas vete ka lënë tri vajza.
Ngushëllime familjes dhe gjithë bashkëveprimtarëve për ndarjen nga jeta të Prof. Irfan Shaqiri