Për shkak se Kosova ndali importin e mallrave të prodhuara në Serbi nga qershori i 2023-s deri më 1 janar 2024, ekonomia e Serbisë është dëmtuar për rreth 150 milionë euro, kanë thënë nga Oda Ekonomike e Serbisë.
Qeveria e Kosovës më 14 qershor pati ndaluar hyrjen e kamionëve me targa serbe dhe importin e mallrave me origjinë nga Serbia për arsye sigurie. Vendimi ishte marrë pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe. Më pas, ishte lehtësuar masa e sigurisë duke u hequr për lëndën e parë dhe gjysmë produktet.
Siç ka thënë për “Betan”, Aleksandar Radovanoviq nga Qendra për Bashkëpunim Rajonal në këtë odë, më së shumti kanë humbur kompanitë që kanë fabrika në Serbi dhe eksportojnë produkte të kompletuara, përfshirë ato të ushqimit e të higjienës.
Sipas të dhënave të Institutit GAP, Kosova më 2023 ka importuar nga Serbia mallra në vlerë prej 198 milionë eurosh. Serbia është e nënta në renditjen e importuesve më të mëdhenj në Kosovë.
Në vitin 2022, Kosova importoi rreth 370 milionë euro nga Serbia.