Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka përgëzuar zyrtarët e Policisë së Kosovës, të cilët, siç ka thënë ai, me punë dhe përkushtim po garantojnë një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Më 8 dhe 9 Shtator 2018, me lejen e institucioneve të Kosovës, një delegacion nga Serbia, i udhëhequr nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qenë në vizitë dy ditore në Kosovë.
“Në këtë rast Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet në përputhje të plotë me kushtetutën dhe ligjet në fuqi, për të ofruar një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët e shtetit të Kosovës. Në këtë mënyrë, Policia e Kosovës sërish ka konfirmuar përkushtimin në punë si dhe nivelin e lartë të profesionalizmit, që e bën këtë institucion të dallohet në rajon dhe më gjerë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga MPB.
Gashi ka vlerësuar “lartë profesionalizmin e treguar nga të gjithë zyrtarët policorë dhe veçanërisht nga udhëheqësit e Policisë së Kosovës në krye me drejtorin e përgjithshëm të emëruar së fundmi, Rashit Qalaj”.
Gashi vlerësoi po ashtu “faktin që Policia e Kosovës punon pa dallime etnike e politike, duke dëshmuar kështu profesionalizmin dhe përkushtimin në punë”.
“Misioni i Policisë së Kosovës është garantimi i zbatimit të ligjit në mënyrë profesionale, efektive dhe efikase. Në përmbushjen e këtij misioni, Policia e Kosovës do ta ketë përkrahjen time të plotë, si ministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme”, tha Gashi.