Në kohën kur bashkësia ndërkombëtare u duk sikur ia ka kthyer shpinën Kosovës me reagimet e ashpra ndaj veprimeve të Qeverisë Kurti në veri, më në fund erdhi një shkëndijë se raportet megjithatë nuk janë acaruar deri në atë masë.
Më 14 qershor, tre zyrtarë policorë u kidnapuan brenda territorit të Republikës nga forca speciale policore të Serbisë.
Rasti nga Kosova u konsiderua skandaloz, ndërsa Serbia pati version tjetër, raporton Klankosova.tv.
Beogradi zyrtar tha se ata u arrestuan në brendësi të territorit të tyre, në një lokacion afër Rashkës.
Me t’u bërë i ditur lajmi për kidnapimin e tyre, në vend të ngjarjes dolën forca të KFOR-it, pos atyre të Policisë së Kosovës, bashkë me shefin e tyre, Xhelal Sveçlën.
KFOR-i tha në ndërkohë se është vënë në kontakt direkt me autoritetet e Kosovës dhe të Serbisë për të mësuar më shumë rreth ngjarjes.
E derisa Kosova dhe Serbia vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën për këtë rast, bashkësia ndërkombëtare e ka ndarë mendjen për rastin.
Ata po kërkojnë lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të tre policëve të kidnapuar.
ShBA-ja, teksa i kërkoi Vuçiqit lirimin e tyre të menjëhershëm, tha se akuzat ndaj tre policëve janë të rreme.
“I bëjmë thirrje presidentit Vuçiq dhe qeverisë së Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor. Arrestimi dhe ndalimi i tyre që po vazhdon nën akuza të rreme, ka përkeqësuar një situatë tashmë të tensionuar”, deklaroi të shtunën zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
Qëndrimin e ShBA-së për këtë çështje e ka mirëpritur edhe deputetja britanike, Alicia Kearns.
“E mirëpres faktin se SHBA-ja po e konfirmon ndalimin ilegal të tre policëve kosovarë nën ‘akuza të rreme’. Për dallim nga vendimi i Kurtit për zyrat e kryetarëve të komunave, ky është një veprim ilegal. Megjithatë, dënim të shpejtë vetëm për Kosovën? Si çelës të de-përshkallëzimit, sanksionet mund të mos ndihmojnë, por unë jam kritike e hipokrizisë dhe e mungesë së balancit”, tha ajo.
Edhe eurodeputetja Viola von Cramon e ka përshëndetur qëndrimin e ShBA-së. “Më në fund, Departamenti i Shtetit të ShBA-së”, shkroi ajo në Twitter.
Kërkesë për lirim të pakushtëzuar të zyrtarëve policorë kosovarë kërkoi dje edhe ministrja e Jashtme e Gjermanisë.
Dy vendet duhet “të bëjnë menjëherë gjithçka që munden për të qetësuar këtë situatë të pasigurt”, tha Annalena Baerbock në Berlin të premten përpara një takimi me homologun e saj nga Bosnje-Hercegovina, Elmedin Konakoviq. Si “një nga hapat e parë” drejt qetësimit të situatës, Baerbock i bëri thirrje Serbisë që “pa kushte” të lirojë tre policët kosovarë të kidnapuar nga autoritetet serbe.
I të njëjtit qëndrim është edhe deputeti gjerman, Andreas Schwarz, nga radhët e Social-Demokratëve. Ai madje është i besimit se treshja është rrëmbyer nga Kosova.
“Situata e sigurisë në veri të Kosovës është shqetësuese. Njësitë e KFOR-it janë dislokuar këtu, duke përfshirë Bundeswehr-in tonë! Presidenti Vuçiq duhet të organizojë lirimin e menjëhershëm të tre policëve të rrëmbyer të Kosovës për të de-përshkallëzuar situatën”, deklaroi deputeti Schwarz.
Lirim të menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të kidnapuar më 14 qershor, Serbisë i ka kërkuar edhe Britania e Madhe.
“Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të ndaluar më 14 qershor”, tha gjatë ditës së djeshme qeveria britanike.
E njëjta kërkoi që Kosova e Serbia të shmangin veprimet e njëanshme, të kenë përmbajtje maksimale dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për t’i ulur tensionet.
“Ne përsërisim thirrjet tona për kryeministrin Kurti dhe qeverinë e tij që të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të komunave të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative që njësitë speciale të policisë të tërhiqen nga ndërtesat komunale”, thuhet në reagimin e qeverisë britanike.
Britania e Madhe ka kërkuar edhe zgjedhje të reja, gjithëpërfshirëse dhe që ato të shpallen në kohë sa më të shpejt.
“Ne presim dhe inkurajojmë serbët e Kosovës që të marrin pjesë në këto zgjedhje. Presim që Kosova dhe Serbia të angazhohen menjëherë në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe në veçanti të fillojnë punën pa vonesa të mëtejshme për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, u tha në reagimin e djeshëm të qeverisë britanike.
Qëndrim të njëjtë pati edhe Shqipëria.
“Është imediate nevoja, urgjenca që të tre punonjësit e policisë së Kosovës të kthehen në shtëpi. Përtej pretendimeve që janë kapur këtu apo atje, për të cilat KFOR nuk do t’i japë konkluzion publik por do të depozitojë dosjen përkatëse në NATO, është e qartë se në të gjitha rastet tre efektivët nuk kanë bërë asnjë krim. Edhe nëse do të supozonim se kanë shkelur kufirin, ka vetëm një përgjigje; kthimin e tyre në shtëpi. Jemi të fokusuar që ta bëjmë këtë të mundur”, është shprehur kryeministri Edi Rama.
Në kohën kur pritej skadimi i kohës prej 48 orësh të kaluar në paraburgim, dje Prokuroria e Lartë e Publike në Kralevë mori vendim që t’ua caktojë masën e paraburgimit tre policëve kosovarë prej 30 ditësh.