Kur flasim për ndërtimet e larta në qytetin e Gjilanit, shpesh herë qytetarët jo-profesionistë i perceptojnë këto si projekte të lehta për investitorët, duke llogaritur vetëm fitimet dhe jo sakrificat dhe sfidat që përfshijnë realizimin e tyre. Por në realitet, nga konceptimi e deri te dorëzimi i objektit për përdorim, ndërtimi i një objekti të lartë është një proces kompleks që kërkon angazhim të madh, dije teknike dhe bashkëpunim profesional.
Realizimi i suksesshëm i këtyre projekteve bëhet i mundur vetëm kur në proces janë të përfshirë profesionistë të përgatitur, të cilët janë korrektë me investitorin dhe e përgatisin atë për sfidat që mund të paraqiten gjatë ndërtimit.
Procesi dhe rëndësia e procedurave profesionale
Zhvillimi i një ndërtese të lartë kalon përmes një sërë procedurash ligjore dhe teknike. Nëse këto procedura respektohen dhe zbatohen siç duhet, atëherë shanset për dështim janë minimale. Një nga faktorët kyç për suksesin e projektit është përzgjedhja e një ekipi profesional me njohuri të thella teknike dhe ligjore, përfshirë njohjen e Ligjit për Ndërtim dhe Udhëzimeve Administrative që dalin nga ai.
Megjithëse Kosova ende nuk e ka të miratuar një Kod Ndërtimi, inxhinierët në terren bëjnë përpjekje maksimale për të respektuar standardet e Eurokodit, duke garantuar kështu stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e objekteve.
Kontrolli i terrenit dhe siguria strukturore
Para nisjes së çdo ndërtese, realizohen shpimet gjeomekanike, të cilat ofrojnë të dhëna të rëndësishme mbi llojin e themelit që duhet ndërtuar, shtresat e zhavorrit, dhe shkallën e ngjeshjes së nevojshme sipas standardeve. Pas përgatitjes së terrenit, bëhen testime të ngjeshjes, të cilat krahasohen me të dhënat e elaboratit përkatës për të siguruar cilësinë.
Nga sa është vërejtur, në të gjitha ndërtimet e larta në Gjilan këto kushte janë përmbushur me përpikëri.
Mbikëqyrja dhe përgjegjësia ligjore
Sipas Ligjit për Ndërtim dhe udhëzimeve përkatëse, para çdo betonimi kërkohet kontroll nga Inspektorati i Ndërtimit. Edhe nëse inspektorati nuk del në vendngjarje, hartohet protokolli teknik nga inxhinieri mbikëqyrës, që nënshkruhet nga mbikëqyrësi, investitori dhe punëkryesi. Ky dokument përfshin edhe deklaratën nën betim, duke rritur përgjegjësinë e të gjitha palëve për cilësinë e ndërtimit.
Në Gjilan, pothuajse të gjitha ndërtimet e larta kanë ekipe mbikëqyrëse profesionale, dhe përgjegjësia për korrektësinë dhe seriozitetin në punë bie mbi secilin anëtar të këtyre ekipeve.
Bashkëpunimi është çelësi
Inxhinierët gjithashtu përballen me sfida të shumta në zbatim, por bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet inxhinierëve, punëkryesve dhe investitorëve është një faktor kyç që ndikon pozitivisht në realizimin e projektit. Gjatë fazave të ndryshme të ndërtimit, veçanërisht në punimet me beton dhe armaturë, është e domosdoshme të sigurohen atestet e betonit dhe të materialeve, të cilat lëshohen nga laboratorë të licencuar – një kërkesë që del drejtpërdrejt nga Ligji për Ndërtim.
Siguria dhe cilësia si prioritete
Nëse zbatohen të gjitha procedurat dhe standardet e përmendura, ndërtimet nuk mund të jenë ndryshe përveç të sigurta dhe të qëndrueshme. Kjo është meritë e të gjithë akterëve të përfshirë në procesin ndërtimor – nga projektuesit, mbikëqyrësit e deri te investitorët dhe punëtorët në terren.
Rekomandime për zhvillim të qëndrueshëm
Rekomandoj që të gjithë pjesëmarrësit në këtë sektor të japin maksimumin e tyre profesional, intelektual dhe njerëzor, me qëllim që qytetarët të ndihen të sigurt dhe të rehatshëm në objektet ku jetojnë dhe punojnë.
Gjilani ka profesionistë të zotë dhe plane rregullative në disa pjesë të qytetit. Tashmë është e domosdoshme që të trajtohen me seriozitet zonat që ende nuk kanë plane, si dhe të rishikohen dhe revidohen planet ekzistuese të stërvjetruara, me qëllim të krijimit të një zhvillimi urban më të balancuar dhe më të qëndrueshëm për të ardhmen e qytetit tonë.