Kur kanë mbetur edhe katër ditë deri në fillimin e takimit, klubi i Ballkanit akoma nuk është informuar se ku do të zhvillohet, apo nëse do të zhvillohet ndeshja ndaj Ludogoretsit të Bullgarisë e vlefshme për kualifikimet në Ligën e Kampionëve.
Terreni i vështirësuar i stadiumit “Fadil Vokrri” e ka vënë në pikëpytje zhvillimin e këtij takimit dhe sfidave tjera në arenën ndërkombëtare.
Ballkani ka reaguar ashpër përmes një komunikate në faqen e tyre zyrtare, duke kërkuar përmirësime urgjente të kushteve për futbollistët.
“4 ditë kanë mbetur deri te data e zhvillimit të ndeshjes më të madhe shtetërore për klube, në nivelin më të lartë të mundshëm, siç është Liga e Kampionëve, e ne ende e kemi të turbullt se ku do të luhet ai duel kualifikues. Në vend se krejt koncentrimi e vëmendja e futbollistëve dhe stafit të skuadrës tonë, të jetë e fokusuar në futboll, ne përballemi me ngarkesë psikologjike se çfarë po ndodh me fatin e takimit, të datës 11 Korrik.
Shtetin që e duam dhe mundohemi për ta prezantuar në mënyrën më të mirë, të huajt me vetëm një kërkim (search) në google, na e kthejnë në përqeshje. Si të arsyetohet kjo?
Ne si klub, kemi arritur të shkruajmë histori ndërkombëtare, duke u futur në mesin e skuadrave që luajnë në nivele të larta evropiane, kurse sot pa kaluar një vit i plotë, ne të njëjtit me të cilët u krenuan të gjithë, nuk kemi informacion se ku do ta zhvillojmë ndeshjen eliminatore të UEFA Champions League, ose mbase një pyetje tjetër, a do ta zhvillojmë fare”, thuhet mes të tjerash në komunikatën e Ballkanit.