Federata e Futbollit e Serbisë (FS) ka njoftuar se, në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) dhe Ministrinë e Brendshme, ka shpallur ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë si një ndeshje me rrezik të lartë për sigurinë.
Kjo përballje do të zhvillohet në stadiumin “Dubocica” në Leskovac, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës.
Sipas njoftimit të FS-së, FIFA ka vendosur të dërgojë dy zyrtarë sigurie në vendin e ngjarjes për të garantuar sigurinë maksimale të të gjithë pjesëmarrësve dhe spektatorëve. Prania e tyre nënvizon seriozitetin e kësaj ndeshjeje dhe detyrimin e të gjithë aktorëve për të vënë sportin në plan të parë.
Federata serbe gjithashtu kujton incidentet e vitit 2014, kur ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd u ndërpre pas shfaqjes së një droni me flamurin e “Shqipërisë së Etnike” dhe kishte përleshje midis lojtarëve, ndërsa tifozët serb u futën në fushë për të sulmuar lojtarët shqiptarë.
“Ndeshja e mëparshme pati pasoja të mëdha për ekipin tonë kombëtar dhe për futbollin serb, si në aspektin sportiv, ashtu edhe financiar”.