Ministri i Financave, Hekuran Murati i ka renditur marrëveshjet ndërkombëtare të cilat tha se opozita “po i mban të bllokuara”, si kundërpërgjigje ndaj reagimeve të partive jashtë pushtetit për masat e para ndëshkuese që Bashkimi Evropian i mori ndaj Kosovës.
Murati tha se partitë opozitare po ankohen që Kosova mbeti jashtë programit financues të BE-së me vlerë 7.5 miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor, por shtoi se ato i kanë bllokuar “150 milionë euro”.
“Opozita qenka ankuar se pse Kosova ende nuk është bërë pjesë e Programit Evropa Digjitale të BE-së. Mirëpo është e njëjta opozitë që me muaj të tërë po mban të bllokuara marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend, pa asnjë arsye të vlefshme. Janë gjithsej afro 150 milionë euro të bllokuara nga opozita”, shkroi Murati.
“25 milionë euro marrëveshja me KfW për investime në rrjetin e transmisionit të energjisë elektrike; 84 milionë euro projekti i Ngrohjes Qendrore Solare, i financuar me grante nga Gjermania, grante nga BE, dhe kredi nga BERZH. 40 milionë USD marrëveshja me Fondin Zhvillimor të OPEC, mjete që planifikojmë t’i investojmë në infrastrukturë sportive, për t’u bërë gati për Lojërat Mesdhetare”, ka shkruar Murati.
Bashkimi Evropian ka marrë masa ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat blloku i ka përgatitur për shkak të mosndërmarrjes së hapave që janë kërkuar për të ulur tensionet në veri të shtetit. Me rastin e paralajmërimit nga BE-ja, u tha se këto masa “nuk janë marrë me lehtësi” dhe se ato janë të kthyeshme në rast se merren hapat e duhur drejt shtensionimit të situatës.
Ato përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Masat tjera përfshirë ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit). Propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor./GazetaSinjali/