Për nder të Ditës Botërore për Përkujtimin e Viktimave në Trafikun Rrugor bëhet ndezja e qirinjve në përkujtim të viktimave që kanë humbur jetën në aksidente në trafikun rrugor, para Teatri Kombëtar në ora 18:00.
E diela e tretë e muajit nëntor, është Dita botërore e përkujtimit të viktimave në trafikun rrugor.
Kjo ditë shënohet me qëllim të përkujtimit të miliona njerëzve që humbin jetën në aksidentet rrugore, por njëkohësisht edhe për mbështetje ndaj familjarëve të viktimave.
Aksidentet e trafikut tash e sa vite nuk janë sfidë vetëm e shoqërisë dhe vendit tonë, por një shqetësim i madh global, i cili në shumicën e vendeve të botës është vrasësi më i madh i njerëzve.
Vetëm në dy ditët e fundit kanë ndërruar jetë 6 persona si pasojë e aksidenteve.
4 persona të një familje humbën jetën si pasojë e një aksidenti që ndodhi të premten mbrëma në Mramor të Prishtinës, ndërsa mbrëmë nga një aksident i ndodhur në Malishevë ka ndërruar jetë dhe një grua.
Ndërsa, për shkak të një aksidenti të ndodhur më 12 nëntor, një person ka ndërruar jetë ditën e djeshme në QKUK.