Ka disa muaj që jetonte në SHBA, por një i punësuar në RTK, M. Sh. merrte pagë në RTK. Ai i kishte shfrytëzuar të gjitha opsionet e pushimit, por nuk kishte njoftuar zyrtarisht RTK-në që kishte shkuar jashtë vendit.
Burime brenda RTK-së konfirmojnë se ky punëtor ka kohë që jeton në ShBA, madje shumë vetave u kishte thënë se e ka ‘ndërprerë kontratën’.
Ai dhe një i punësuar tjetër, i cili që disa muaj po jeton në Australi janë përjashtuar nga puna këtë javë.
Ky i fundit siç merret mësohet brenda RTK-së, që nga fillimi i këtij viti nuk është paraqitur në vendin e punës.
U.d drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj ka thënë shkurt për Reporterin se “janë disa raste në procedurë disiplinore, por aktualisht nuk mund të jap emra apo shifra”.
Në raportimin e fundit të Bordit dhe Menaxhmentit të RTK-së në komisionin parlamentar për buxhet dhe transfere është konfirmuar shkëputja e gjashtë kontratave të rregullta, pasi tashmë ish punëtorët kishin shkelur kontratat e punës, e disa prej tyre nuk ishin paraqitur fare në punë.
Pos tyre, që nga 1 prilli, RTK nuk i ka vazhduar mbi 150 kontrata për shërbime.